Lidhje

Presidenti Trump reagon ashpër ndaj hetimit të mundshëm për pengim të drejtësisë


Presidenti Donald Trump reagoi me zemërim ndaj njoftimeve se është nën hetim për pengim të drejtësisë në lidhje me hetimin për Rusinë, drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Zoti Trump vazhdon të jetë në pozita mbrojtëse lidhur me hetimin por deri tani republikanët në Kongres duket se po e mbështesin presidentin, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone.

Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump i dërgoi urimet për shërim të shpejtë kongresmenit Steve Scalise, një nda disa personat e plagosur në një praktikë bejsbolli një ditë më herët.

“Ne kemi zemra të mëdha në këtë vend dhe të gjithë i shprehim dashurinë dhe mbështetjen familjes Scalise.”

Por presidenti kishte tjetër ton në Twitter, duke reaguar ashpër ndaj njoftimeve se hetimi për Rusinë është zgjeruar, duke përfshirë pengimin e drejtësisë, që është krim i dënueshëm. Zoti Trump e quajti hetimin “gjuetinë më të madhe të shtrigave në historinë politike amerikane”.

Prej javësh, presidentit i është dashur të mbrojë veten lidhur me hetimin për Rusinë dhe shpesh e kërkon mbështetjen tek baza e tij politike.

“Siç e dini, ne po sulmohemi ashpër. Por ne do të dalim nga kjo më të fortë dhe më mire se kurrë ndonjëherë më parë. Do ta shihni”.

Demokratët vazhdojnë t’i bëjnë presion administratës për Rusinë. Një prej tyre është kongresmeni nga Merilendi, Elijah Cummings.

“Bëhet fjalë për të luftuar për shpirtin e demokracisë sonë. Nuk mund të humbasim.”

Pjesa më e madhe e republikanëve po mbështesin presidentin, pavarësisht nga disa shpërthime në Twitter që mund të dëmtojnë vetë argumentat e Presidentit, thotë kreu u Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Ai nuk ka përvojë në qeveri dhe nuk i njihte mire protokollet për marrëdhënien mes Departamentit të Drejtësisë, FBI-së dhe Shtëpisë së Bardhë. Janë gkëra të reja për të”.

Disa republikanë të moderuar shqetësohen se mesazhet e presidentit në Twitter dhe sulmet ndaj hetimit janë kundërproduktive. Një prej tyre është kongresmeni nga Pensilvania, Charlie Dent.

“Sa herë që del ndonjë gjë e re, ka një furi mesazhesh në Twitter. Mendoj se duhet të jenë shumë më të disiplinuar në përgjigjet e tyre ndaj lajmeve për çështjen e Rusisë”.

Edhe nëse hetimi e vendos presidentin në rrezik për pasoja ligjore, gjasat janë që çështja të trajtohet përmes procesit të ngritjes së akuzave në Kongres.

Por republikanët kanë shumicën si në Dhomën e Përfaqësuesve edhe në Senat, gje që nuk lë shumë shanse për një proces të tillë, thotë eksperti i shkencave politike, Chris Edelson.

“Megjithëse mbështetja për presidentin Trump, sipas sondazheve është e ulët, dhe ai po humb përkrahje edhe mes republikanëve, mendoj se nëse republikanët në Kongres nuk shohin arsye që të distancohen prej tij, vështirë që ai të ketë probleme.”

Presidenti Trump gjithmonë e ka mbrojtur me force veten, por këtë radhë duket se Kongresi do të jetë në anën e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG