Lidhje

Trump: së shpejti mund të shpall emergjencë për sigurinë kufitare


Presidenti i SHBA Donald Trump sinjalizoi të enjten se së shpejti mund të shpallë një emergjencë kombëtare dhe se do të përdorë fondet e ndërtimeve ushtarake për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.

Deri tani, ai e ka patur të pamundur të bindë Kongresin që t’i japë fonde për këtë qëllim.

Presidenti Trump shkoi të enjten në Teksas për të parë nga afër përpjekjet që synojnë pengimin e imigracionit të paligjshëm në kufi.

Ai tha se ndoshta do të shpallte deklarimin e emergjencës nëse nuk arrin dot marrëveshje me demokratët e opozitës për financimin e murit. Bisedimet e Shtëpisë së Bardhë me udhëheqësit demokratë, të cilët refuzojnë të japin fonde për murin, përfunduan dje me dështim, ndërkohë që, për shkak të mosmarrëveshjeve, qeveria është mbyllur pjesërisht prej 20 ditësh.

"Unë kam të drejtën absolute për të deklaruar një emergjencë kombëtare," u tha zoti Trump gazetarëve. "Nuk e kam bërë akoma, por mund ta bëj. Nëse kjo nuk funksionon, ndoshta do ta bëj.”

"Nuk ka asnjë arsye që të mos arrijmë në një marrëveshje," tha Presidenti Trump, duke shtuar se "pala tjetër nuk kujdeset për sigurinë e kufirit".

Presidenti Trump tha se ekzistojnë fonde të mjaftueshme (në dispozicion për murin) nëse ekziston një emergjencë kombëtare. Ndërkohë, demokratët dhe grupe të tjera pothuajse me siguri do të ngrejnë sfida ligjore ndaj një deklarate emergjence të presidentit dhe ndaj përdorimit të fondeve ushtarake që tashmë janë caktuar për projekte të tjera.

"Do të doja ta arrija këtë përmes Kongresit," tha Presidenti Trump. "Ka kuptim të bëjmë marrëveshjen përmes Kongresit. ... Do të ishte mirë nëse mund të bëjmë një marrëveshje, por të merresh me këta njerëz është qesharake."

Kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se nëse mbyllja e qeverisë vazhdon për një periudhë të gjatë, kjo do të dëmtonte ekonominë e SHBA, më e madhja në botë. "Unë mendoj se kjo do të shfaqet mjaft qartë në të dhënat për ekonominë," tha ai.

Komentet e fundit të Presidentit Trump rreth nevojës për një mur kufitar, që ishte ndoshta premtimi më i madh i fushatës së tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, vijnë një ditë pasi ai u largua nga një takim me udhëheqësin demokrat të Senatit Chuck Schumer dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, kur ata refuzuan të bënin lëshime. Presidenti tha se biseda me ta ishte krejtësisht një humbje kohe.”

Presidenti Trump tha se nuk do të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës këtë muaj "për shkak të qëndrimit kokëfortë të demokratëve për sigurinë kufitare dhe rëndësisë së madhe të sigurisë për vendin”.

Nga ana e saj, zonja Pelosi tha të enjten se "tani ekziston një rrugë" për zgjidhjen e çështjes: "hapni qeverinë dhe pastaj mund të zhvillojmë diskutimin për sigurinë e kufirit", një skenar që zoti Trump e ka hedhur poshtë.

Para se të nisej për në kufirin jugor të SHBA, Presidenti Trump tha në Twitter se "ka një unitet të madh" midis ligjvënësve republikanë që e mbështesin qëndrimin e tij për të mbajtur të mbyllur një të katërtën e qeverisë federale lidhur me kërkesën për më shumë se 5 miliard dollarë fonde të reja për ndërtimin e një muri, “megjithë median e lajmeve të rreme që punon pa u lodhur për t’i dhënë çështjes një drejtim tjetër.”

Demokratët kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë fonde të reja për sigurinë e kufirit, por jo për ndërtimin e një muri.

Një numër i vogël republikanësh kanë vënë në pikëpyetje refuzimin e zotit Trump për të rihapur agjencitë që janë mbyllur që nga 22 dhjetori, një mbyllje pothuajse tre javore, e dyta më e gjatë në historinë e SHBA, dy ditë më pak se një rekord i ri. Disa shërbime të qeverisë janë shkurtuar, me rreth 800,000 punonjës federalë që nuk punojnë ose që punojnë pa pagesë.

Asnjë prej tyre nuk do të marrë dot rrogën të premten, dita e pagesës dyjavore.

Ndërkohë, në Uashington qindra punonjës protestuan të enjten kundër mbylljes së qeverisë.

Republikanët e Senatit përsëri bllokuan përpjekjet e demokratëve për të miratuar legjislacionin për të rihapur disa prej agjencive që nuk kanë të bëjnë me sigurinë e kufirit, për shkak se Presidenti Trump i kundërshton projektligjet.

Presidenti Trump tha: "Partia e opozitës dhe demokratët e dinë mirë se ne duhet të kemi siguri të fortë kufitare, por nuk duan t'i japin 'Trumpit' një tjetër prej shumë fitoreve!"

Gjatë fushatës së tij të suksesshëm për presidencën në vitin 2016, zoti Trump bënte thirrje shpesh për ndërtimin e një muri prej betoni dhe thoshte se ishte Meksika ajo që do të paguante për murin. Por me refuzimin e Meksikës, Presidenti Trump ka kërkuar pa sukses miratimin e Kongresit për financimin nga taksapaguesit amerikanë të një barriere, që tani ai thotë se do të jetë prej çeliku.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG