Lidhje

Retorika e Pres. Trump ndaj shtypit krahasohet me atë të Stalinit


Dy senatorë republikanë amerikanë kritikuan ashpër presidentin Donald Trump për qëndrimet e tij të vazhdueshme kritike ndaj medias që nuk pajtohet me të. Sipas senatorëve, këto qëndrime të presidentit minojnë një parim themelor të shoqërive demokratike, shtypin e lirë dhe të hapur. Shtëpia e Bardhë reagoi duke e cilësuar qëndrimin e senatorëve dëshmi të mbështetjes së ulët popullore që ata gëzojnë.

Dy senatorë republikanë nga shteti i Arizonës, po i tërheqin vëmendjen presidentin për sulmet ndaj medias. Ata nuk do të garojnë në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres.

John McCain, nëpërmjet një opinioni për gazetën Washington Post dhe Jeff Flake gjatë një fjalimi në Senat, thanë se fjalët e Donald Trump-it po përdoren nga udhëheqës të huaj për t’i mbyllur zërin një prej shtyllave kryesore të demokracisë.

"Është një dëshmi për gjendjen e demokracisë sonë, që presidenti ynë përdor fjalë sikurse Josef Stalini për të përshkruar armiqtë e tij. Vlen të theksohet se kaq shumë e mbushur me ligësi ishte shprehja "armik i popullit", sa madje edhe Nikita Hrushovi e ndaloi përdorimin e saj, duke i thënë Partisë Komuniste Sovjetike se fraza ishte futur nga Stalini me qëllimin për të "asgjesuar individë" që nuk ishin dakord me udhëheqësin suprem", tha senatori Jeff Flake.

Shtëpia e Bardhë iu kundërpërgjigj senatorit Flake, duke thënë se ai ka shërbyer si një zëdhënës për qeverinë shtypëse të Kubës gjatë një udhëtimi së fundmi atje.

"Ai nuk po e kritikon presidentin sepse është kundër shtypjes. Ai po e bën këtë për shkak sepse sondazhet tregojnë se gëzon një mbështetje shumë të dobët", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders.

Por një analist me shumë eksperincë thotë se shumë senatorë ndajnë një shqetësim të ngjashëm.

"Shumë kolegë të tij, veçanërisht republikanë, të cilët mund të jenë të prirur të pajtohen me qasjen e tij të përgjithshme, ndoshta jo pikërisht me përdorimin e shprehjes "armik i popullit", nuk mund të thonë gjëra të tilla, sepse ata synojnë të garojnë për rizgjedhje dhe nuk duan të kritikojnë presidentin e partisë së tyre", thotë profesor Bill Schneider i universitetit George Mason.

Megjithatë për presidentin Trump, sulmi ndaj shtypit është një recetë fitoreje e provuar. Minimi i institucioneve tradicionale ishte pjesë e fushatës së tij, që e çoi drejt fitores.

"Ky president nuk e sheh shtypin si një institucion legjitim. Ai e quan “lajm të rreme” këdo me të cilën ai nuk pajtohet, apo që nuk e mbështet qëndrimin e tij"

Të mërkurën administrata Trump njoftoi ato që i quajti çmime për "mungesë ndershmërie dhe raportim të keq". Disa nga ata që morrën çmimin e shohin atë si medalje nderi, dëshmi sipas tyre e objektivitetit dhe e pavarësisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG