Lidhje

SHBA: debati politik pas sulmeve të ditëve të fundit


Amerikanët përjetuan tronditje pas sulmeve të ditëve të fundit, që duket të kenë patur motive politike: sulmi masiv me armë zjarri në një sinangogë të Pitsburgut, që la 11 të vdekur dhe dërgimi me postë i të paktën 14 pajisje shpërthyese në adresat e demokratëve me peshë në mbarë vendin. Këto incidente i kanë dhënë një fokus të ri debatit politik, shpesh të ashpër, vetëm një javë para zgjedhjeve për në Kongres të mesit të mandatit.

Në Pitsburg u mbajt një ceremoni përkujtimore pas sulmit vdekjeprurës me motive anti-semite.

“Nuk mund ta kuptoj dhunën që po përjeton vendi ynë.”- thotë një banore e Pitsburgut.

Personi i dyshuar për sulmin, Robert Bowers, kohët e fundit ishte shprehur kundër refugjatëve në Amerikë, si “pushtues që vrasin popullin tonë”. Ai i publikoi pikëpamjet e tij në një faqe interneti të ekstremistëve të djathtë. Disa ditë më parë, agjentët federalë arrestuan në Florida Cesar Sayoc, i dyshuar për postimin e bombave artizanale në adresat e udhëheqësve demokratë, zyrtarë që kanë shërbyer në adminsitratata demokrate, donatorit të njohur të demokratëve, miliarderit që i mbijetoi Holokasustit, George Soros dhe kanalit televiziv CNN. Njerëz që e njihnin Sayoc-un thanë se si kishte pikëpamje raciste dhe kundër homoseksualëve.

Disa shohin të njëjtin model tek këto incidente.

"Nazistë, antisemitë, supremacistë të bardhë, janë fuqizuar në klimën aktuale politike për të shprehur urrejtje. Ata nuk po fshihen më pas pelerinave të bardha (të Ku Klus Klanit).”- tha një studente.

Presidenti Donald Trump i dënoi incidentet e pakove-bombë, si edhe sulmin në sinagogë:

“Ky është një sulm i shëmtuar antisemit. Kamzhiku i antisemitizmit nuk mund të injorohet, nuk duhet duruar dhe as të lejuar që të vazhdojë.”

Por ai shprehu keqardhje që nuk kishte patu roje të armatosura në sinagogë, një argument që ai e ka dhënë edhe më parë, pas sulmeve masive me armë.

“Nëse do të kishte patur mbrojtje, rezultati nuk do të kishte qenë kaq i keq”, - tha Presidenti.

Trump ka kritikuar hapur George Sorosin dhe gazetarët dhe ka lënë të kuptohet se supremacistët e bardhë nuk janë të vetmit që duhen fajësuar për dhunën në takimet që ata organizojnë.

“Ne jetojmë në një mjedis shumë toksik, kur ka mungesë civilizimi në debatin politik të udhëheqësve tanë. Sulmi në sinagogë dhe letrat-bombë të javës së kaluar duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për të gjithë amerikanët, që të kërkojnë ndryshimin, që duhet të fillojë nga kreu.”- tha ish Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Jeh Johnson.

Disa republikanë me peshë thonë se për këtë situatë duhet fajësuar i gjithë spektri politik. Senatori John Cornyn, shkruante në një tweet se demokratët nxitën urretjen e turmës gjatë procesit të konfirmimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, duke shtuar: “Askush nuk duhet të nxisë dhunën, askush.”

Disa kanë në plan ta shprehin reagimin e tyre ndaj sulmeve në kutinë e votimit.

"Çdo të bëjmë si reagim? Do të votojmë."

"Po, ne do të votojmë.”

Zgjdhjet e javës së ardhme do të përcaktojnë se cila parti ka për të kontrolluar Kongresin. Në shumë shtete ka filluar votimi paraprak, ndërsa vendi përjeton hidhërimin e shkaktuar nga sulmet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG