Lidhje

Trump sulmon mediat për mbulimin e G-7s


Presidenti Donald Trump shprehu zemërim ndaj mediave kryesore amerikane për mënyrën se si e mbuluan pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7s në Francë. Ai mbrojti gjithashtu preferencën e tij që samiti i vitit të ardhshëm të mbahet në njërin nga vendpushimet e tij private në shtetin Florida.

Një pjesë e mirë e mbulimit mediatik të presidentit amerikan në samitin e Francës, i cili përfundoi të hënën, nuk e paraqiti Presidentin Trump në dritë pozitive, duke e vënë theksin tek keqkuptimet, tek ato që disa i quajtën gafa apo te mungesa e bashkëpunimit me udhëheqësit e tjerë botërorë për çështje të tilla kritike si mjedisi.

"Është për të ardhur keq që i tërë spektakli i G-7s tregoi se ishte pjesë e një normaleje të re, ku demokracitë më të mëdha liberale të botës pranojnë që nuk janë në sinkron me presidentin e vendit, i cili duhet të udhëheqë përpjekjet e tyre për të menaxhuar botën dhe burimet e saj me mençuri dhe përgjegjësi, por që në fakt nuk vepron ashtu,” thuhej në editorialin e bordit të gazetës New York Times, e cila vjen çdo mëngjes në tryezën e Presidentit Trump.

Redaktori i rubrikës për kontrollin e fakteve në gazetën Washington Post, Glenn Kessler shkruante se gjatë konferencës së gjatë për shtyp të presidentit në mbyllje të G-7s, Presidenti Trump "bëri shumë deklarata false, mashtruese ose të pasakta për një sërë çështjesh."

Zoti Trump, i cili i ka kritikuar në mënyrë të përsëritur të dyja gazetat kryesore për mbulimin që i bëjnë atij, deklaroi të martën në mëngjes në Twitter se "G-7a ishte një sukses i madh për SHBA dhe për të gjithë. Mbulimi nga ana e Medias së Çalë nuk kishte asnjë lidhje me atë që ndodhi në të vërtetë në Francë - FAKE NEWS. Ishte e mrekullueshme!."

Ish nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate, i cili sfidon zotin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, publikoi një deklaratë që e karakterizon performancën e presidentit në G-7 si "një tjetër dëshmi se si politika e jashtme katastrofale e Presidentit Trump i ka lënë Shtetet e Bashkuara në izolim, ndërsa bota lëviz pa ne”.

Zoti Biden shtonte se "Nuk ka metaforë më tipike që tregon se si kjo administratë ka hequr dorë nga udhëheqja globale amerikane sesa karrigia bosh në takimin e G-7s për klimën. Kur bëhet fjalë për të zgjidhur krizën ekzistenciale të kohës sonë, Trump largohet nga tryeza në kuptimin e mirëfilltë të fjalës."

President Trump po përballet gjithashtu me kritika për thirrjen që Rusia të pranohet në samitin e udhëheqësve pa parakushte.

"Asnjë anëtar tjetër i grupit nuk ka propozuar që Rusia të kthehet në G-7, siç propozoi ai, por që ata rezistuan. Me këtë, zoti Trump theksoi statusin e tij të izoluar", shkruante Michael D'Antonio, autor i librit "E vërteta për Trump", në një opinion të botuar në faqen e internetit të rrjetit CNN, një entitet tjetër mediatik që Presidenti Trump e ka etiketuar shpesh si "lajme të rreme".

Katër senatorë të Partisë Demokrate i dërguan të martën zotit Trump një letër ku shprehin kundërshtimin e tyre të fortë që presidenti rus Vladimir Putin të ulet së bashku me drejtuesit e grupit të demokracive të industrializuara.

"Të ripranosh Rusinë e Putinit në G-7 do të ishte në kundërshtim me vlerat tona dhe një mohim i qartë i përgjegjësive të Shteteve të Bashkuara si demokracia kryesore në botë," përfundon letra e nënshkruar nga senatorët Jack Reed, Charles Schumer, Robert Menendez dhe Mark Warner.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën në Biarritz se samiti i G-7s i vitit të ardhshëm, me mikpritës Shtetet e Bashkuara, mund të mbahet në vendpushimin e tij privat në Doral të Floridës.

Presidenti vuri në dukje, mes të tjerash, afërsinë e vendpushimit nga aeroporti ndërkombëtar i Majemit dhe sallat apo parkimet e tij të bollshme.

Walter Shaub, ish drejtor i Zyrës Qeveritare për Etikën, tha se presidenti, duke sugjeruar që takimi të mbahet në pronën e tij "ngre mundësinë shumë reale që procesi i prokurimit të preket nga ndikimi korruptiv”.

Kongresmeni republikan Rick Santorum e quajti "të papërshtatshëm" reklamimin nga presidenti të një prej pronave të tij private. Zoti Trump "nuk i bën vetes asgjë të mirë me gjëra të tilla," tha zoti Santorum në CNN. “Ju lutem zoti President. Ndalni. Ju lutem."

Raportimet që pasuan në lidhje me vendpushimin si një vend i mundshëm për mbajtjen e samitit, vinin në dukje një shkrim të janarit 2017 në gazetën Miami Herald lidhur me me një marrëveshje për zgjidhje ligjore mes vendpushimit të golfit të quajtur Trump National Doral Miami dhe një udhëtari biznesi që e kishte paditur vendpushimin, me pretendimin se tartabiqet i kishin gllabëruar pjesën e sipërme të trupit gjatë qëndrimit në rezort.

Zoti Trump u përgjigj të martën në Twitter:

"Në Doral nuk ka asnjë tartabiq. Demokratët e së Majtës Radikale, kur dëgjuan se Doral National Miami, i cili ndodhet në vendin e përkryer (për G-7n e radhës) ishte duke u shqyrtuar si mundësi për G-7n e ardhshme, përhapën atë thashethem të rremë dhe të ulët. Jo mirë!”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG