Lidhje

Reforma fiskale e Presidentit Trump dhe ndikimi


Pronarët e bizneseve të vogla lavdërojnë planin e Presidentit Donald Trump për të reformuar sistemin e taksimit. Ata thonë se ulja e taksave për të gjithë përkthehet në fuqi më të madhe blerëse, si dhe në më shumë fonde për të zgjeruar bizneset që sjell punësimin e një numri më të madh punonjësish. Por, a mundet Shtëpia e Bardhë të thjeshtojë me paanshmëri kodin e ndërlikuar të taksimit? Dhe si do të ndikonte kjo tek amerikanët me të ardhura të ulëta dhe të mesme?

Shtëpia e Bardhë paraqiti propozimin që e konsideron si reformën më të madhe të taksave në historinë e Shteteve të Bashkuara.

“Do të bëjmë një ulje masive të taksave për bizneset...”, njoftoi Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.

Pronarët e bizneseve mund të kenë një ulje të taksave nga 39% deri në 15% dhe ata thonë se kjo është pikërisht gjëja e duhur.

“Mendoj se me uljen e taksave do të mundem të investoj në paisje”, thotë Rick McVey, pronar i një dyqani lulesh.

Por, analistët thonë se nuk mund të konsiderohen plan një propozim prej një faqeje.

“Sidoqoftë, është një tregues se cilat janë prioritetet e administratës”, thotë Scott Greenberg, i “Fondacionit të Taksave”.

Individëve dhe familjeve do t’u dyfishohen zbritjet nga taksat duke u lënë kështu më shumë para në disponim.

“Njësitë familjare me të ardhura të mesme do të pasurohen me rreth 1.3% si rezultat i uljeve të disa taksave”, thotë zoti Greenberg.

Ndërkohë vlerësohet se amerikanët më të pasur mund të përfitojnë rreth 16% rritje të të ardhurave të tyre.

“Kjo është një ulje masive e taksave për më të pasurit”, thotë William Gale, i Institutit Brookings.

Megjithëse plani i Presidentit Trump do të eliminojë disa boshllëqe nga të cilat përfitojnë aktualisht amerikanët e pasur, konservatorët thonë se synimi është njëtrajtësimi i rregullave për ata që fitojnë më shumë të ardhura dhe që kanë përballuar tradicionalisht pjesën më të madhe të taksave të vjelura.

Zoti Gale thotë se kjo është e pakuptimtë ndërsa pabarazia në të ardhura po shtohet.

“Nuk mendoj se ka arsye për ulje taksash për të pasurit në këtë moment. Ata ia kanë dalë jashtëzakonisht mirë gjatë dekadave të fundit”, thotë ai.

Donna Seabusch, pronare e një dyqani ëmbëlsirash në Atlanta, thotë se ulja e taksave do të ndihmojë të gjithë ekonominë.

“Nëse taksat ulen, të gjithëve u mbeten më shumë të ardhura për të shpenzuar”, thotë ajo.

Por, kritikët thonë se nuk ekziston paraja falas. Nëse ligjvënësit nuk gjejnë mënyra për të ulur shpenzimet e qeverisë apo për të rritur të ardhurat e buxhetit, ekspertët thonë se plani i Presidentit për ulje taksash mund të shtojë 5-7 miliardë dollarë borxhin e SHBA-së në dekadën e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG