Lidhje

Trump shënon fitoren e parë në Kongres, ligjin e taksave


Republikanët po festojnë miratimin e reformës së taksave, fitorja e parë legjislative për presidentin Donald Trump.

"Kemi arritur një fitore historike për popullin amerikan," tha zoti Trump në një mbledhje të qeverisë në Shtëpinë e Bardhë.

"Thelbi i këtij ligji është është një lehtësim i jashtëzakonshëm për klasën e mesme," tha Presidenti. "Ata do të fillojnë të shohin rezultatet në muajin shkurt. Ky ligj nënkupton më shumë pagë të sjellë në shtëpi, do të jetë një dhuratë e jashtëzakonshme Krishtlindjeje për amerikanët që punojnë me zell".

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e quajti ligjin e ri "reformimin më të gjerë dhe më të madh të kodit tatimor në një gjeneratë".

Ligji i Shkurtimeve të Taksave dhe i Punës u miratua si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat me mbështetjen e plotë të republikanëve përballë opozitës së bashkuar demokrate.

Pas votimit të mërkurën pasdite, projektligji u dërgua në Shtëpinë e Bardhë për t’u kthyer në ligj nga Presidenti Trump.

Ligji i ri ul në mënyrë të përhershme dhe në shkallë të gjerë taksat e korporatave, shkurton përkohësisht taksat e punonjësve me rrogë, u vë kufi disa klauzolave popullore që parashikojnë përjashtim nga taksat për të ardhura të caktuara dhe rrit borxhin kombëtar amerikan me të paktën 1 trilion dollarë gjatë një dekade.

Demokratët e kritikuan ashpër ligjin duke thënë se ai mban peng të ardhmen e Amerikës për të mbushur xhepat e të pasurve.

Qendra e politikës tatimore, një institucion jopartiak, ka arritur në përfundimin se ligji i ri do të shkurtojë taksat për 95 për qind të amerikanëve vitin e ardhshëm, por shkurtimet për të pasurit i tejkalojnë së tepërmi uljet për njerëzit që fitojnë më pak.

Legjislacioni i ri gjithashtu shfuqizon pjesërisht ligjin e kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Barak Obama, duke eliminuar kërkesën që amerikanët të blejnë me detyrim sigurim shëndetësor. Si rrjedhojë, gjatë dekadës së ardhshme do të ketë rreth 13 milionë më pak amerikanë me sigurime shëndetësore, sipas Zyrës Buxhetore të Kongresit.

Disa demokratë vunë në dukje se presidenti, një manjat i pronave të patundshme, do të përfitonte shumë nga disa dispozita të ligjit. Zoti Trump ka thënë se përkundrazi, ndryshimet në ligjin e taksave do t'i kushtonin atij më shumë personalisht.

Sondazhet e opinionit vazhdimisht kanë treguar se më shumë amerikanë janë kundër sesa e mbështesin ligjin e ri. Disa ligjvënës republikanë kanë fajësuar mediat, duke thënë se gazetarët e keqinterpretuan ligjin dhe minimizuan përfitimet e mundshme që sjell ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG