Lidhje

Donald Trump, pranë arritjes së premtimit për shkurtimin e taksave


Presidenti Donald Trump po i shtyn republikanët e Kongresit të miratojnë një paketë shkurtimesh të taksave në javët e ardhshme, që do të ishte arritja e tij e parë e rëndësishme legjislative pas një dështimi të mëparshëm për të ndryshuar ligjin për kujdesin shëndetësor. Por zoti Trump dhe administrata e tij mbeten ndërkohë të shpërnqëndruar nga hetimi për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s:

Donald Trump është pranë arritjes së një premtimi të rëndësishëm të fushatës - shkurtimit të taksave që ai thotë se do të nxisë ekonominë dhe do të krijojë vende pune.

“Po jua them pa mburrje. Nuk ka patur asnjëherë një president që për 10 muaj ka arritur kaq shumë. Këtë e them me bindje,” u shpreh presidenti.

Pas një sprapsjeje në kujdesin shëndetësor dhe pak përparim në ndërtimin e një muri me Meksikën, presidenti Trump është i etur për një fitore për të ngritur nivelin historikisht të ulët të mbështetjes ndaj tij.

Por pranimi së fundmi i fajësisë nga ish këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn, është një kujtesë se hetimi për Rusinë mbetet një shpërqëndrim i madh për administratën.

“Është parë qartë se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë”, tha presidenti.

Shumica e sondazheve tregojnë se vlerësimi për punën e presidentit Trump është nën nivelin 40 përqind, por mbështetja e tij mes republikanëve mbetet e lartë, thotë analisti Robert Jones.

“Mes anëtarëve të partisë së tij, mbështetja është e mirë. Tetë në dhjetë republikanë e mbështesin dhe ka një numër të madh që thonë se me asgjë që ai mund të bëjë nuk do ta humbasë mbështetjen e tyre.”

Mbështetësit e zotit Trump janë të shqetësuar se disa faktorë ekonomikë dhe socialë po dalin jashtë kontrollit, thotë Henry Olsen.

“Këta njerëz kanë frikë se po humbasin statusin e tyre ekonomik dhe kulturor në jetën amerikane dhe kërkojnë ta ndalin këtë. Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet paraprake të republikanëve kryesisht nga ky lloj shqetësimi.”

Kohët e fundit demokratët fituan zgjedhjet në Virxhinia dhe Nju Xhersi kryesisht për shkak të një pjesëmarrjeje të gjerë të votuesve anti-Trump.

Por edhe analistë liberalë si Joy Reid besojnë se baza e zotit Trump mbetet besnike ndaj tij.

“Mendoj se për demokratët që janë duke fantazuar me idenë se mund t’i bëjnë për vete votuesit e Trumpit, nuk jam i sigurtë se kjo mund të realizohet pasi për shumë njerë. Trumpi është siç ishte Obama për demokratët. Nga pikëpamja e kulturës politike, ai ka pushtet mbi të paktën një të tretën e vendin, dhe mendoj se këtë nuk mund ta ndryshojë asgjë.”

Por niveli i ulët i mbështetjes për zotin Trump mund të jetë problem për republikanët në zgjedhjet e mes-mandatit vitin e ardhshëm, thotë John Fortier.

“Nëse presidenti është në të njëjtin vend që është sot me një nivel mbështetjeje mes 38 dhe 39 përqind atëherë zgjedhjet e mes-mandatit nuk do të jenë të mira për republikanët. Ata do të humbasin vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta do të rrezikojnë të humbasin shumicën.”

Republikanët në Kongres besojnë se mënyra më e mirë për të mbrojtur veten në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është të mbështesin programin e presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG