Lidhje

Si është marrëdhënia Trump-Tillerson?


Presidenti Donald Trump po thotë se ai do t’ja kalonte Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson në një garë për inteligjencën, pas njoftimeve se zoti Tillerson e quajti Presidentin “njeri të trashë”.

"Unë mendoj se kemi të bëjmë me një lajm të rremë, por edhe në se ai e ka bërë një gjë të tillë, unë mendoj se duhet t’i krahasojmë rezultatet e një gare inteligjence dhe atëhere do t’ju them se kush ka për të fituar”- tha Presidenti Trump në një intervistë që u botua të martën në revistën “Forbes”.

Megjithatë, presidenti Trump i tha gazetarëve se ai ka besim tek kryediplomati Tillerson dhe se nuk synon ta thumbojë atë për testin e inteligjencës.

Sipas disa njoftimeve, Tillerson ka folur nëpër dhëmbë për mungesën e inteligjencës së Donald Trumpit në një takim të Pentagonit disa muaj më parë. Ditët e fundit Sekretari Tillerson ka ritheksuar përkushtimin e tij ndaj zotit Trump, por nuk ka mohuar që ta ketë thënë komentin për të cilin ai akuzohet.

"Nuk kam ndërmend të merrem me vogëlsira të kësaj natyre. Nuk kam për t’u pjesë e përpjekjeve për ta përçarë administratën”- tha zoti Tillerson javën e kaluar, kur u shfaqën për herë të parë akuzat ndaj tij.

Tillerson është distancuar prej disa komenteve të zotit Trump për politikën e jashtme, sidomos për disa tallje të Presidentit ndaj udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un dhe në se SHBA duhet të negociojnë me Phenianin për të vënë nën kontroll zhvillimin e armëve bërthamore.

"I kamë thënë Rex Tillersonit, Sekretarit tonë të mrekullueshëm të Shtetit, se ai është duke humbur kohën me përpjekjet për të negociuar me “burrin e vogël të raketave”. Ruaji energjitë Rex, ne do të bëjmë gjënë e duhur!”-shkruante në Twitter Presidenti.

NBC News tha se Tillerson po shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes për shkak të disa mosmarrëveshjeve me zotin Trump për politikën ejashtme, por Presidenti amerikan i hodhi poshtë njoftimet, duke i cilësuar ato “lajme të rreme”.

Por cilatdo qofshin marrëdhëniet Trump-Tillerson, Presidenti Trump pati të martën një drekë në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Shtetit dhe me atë të Mbrojtjes, Jim Mattis.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG