Lidhje

Trump: Trajnimet kundër racizmit, propagandë anti-amerikane


Russell Vought

Presidenti Donald Trump udhëzoi Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit të marrë masa ndaj seancave të trajnimit kundër racizimit që zhvillojnë agjencitë federale, duke i quajtur ato "propagandë përçarëse anti-amerikane".

Drejtori i Zyrës, Russell Vought, në një letër drejtuar agjencive të degës ekzekutive, i udhëzon ato të identifikojnë shpenzimet për çdo trajnim mbi "teorinë kritike për racën", "privilegjin e të bardhëve" dhe çdo material tjetër që predikon se Shtetet e Bashkuara ose çdo racë apo etni "është në vetvete raciste dhe e keqe".

Letra vjen ndërkohë që vendi është përballur gjatë kësaj vere me protesta për atë që demonstruesit e quajnë padrejtësi racore në polici dhe në sfera të tjera të jetës amerikane.

Gjatë periudhës së protestave Presidenti Trump ka mbrojtur ekspozimin e flamurit të Konfederatës dhe monumentet e figurave ushtarake të forcave të Jugut të periudhës së Luftës Civile nga protestuesit që kërkojnë heqjen e tyre.

Ai e ka quajtur këtë një "luftë kulturash" në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Ndërkohë, ai ka hedhur poshtë komentet e rivalit demokrat Joe Biden dhe të tjerëve se në policinë dhe kulturën amerikane ekziston "një racizëm sistematik" që nuk mund të lejohet të vazhdojë.

Letra e zotit Vought citon "njoftimet e shtypit" si elementë që kanë kontribuar në vendimin e Presidentit Trump, me sa duket duke iu referuar programeve të televizionit Fox News dhe mediave të tjera, të cilat kanë ngjallur zemërimin e konservatorëve për trajnimet në fjalë brenda agjencive federale.

Në letër thuhet se do të ketë edhe udhëzime të tjera për këto lloj trajnimesh dhe se "Presidenti dhe administrata e tij, janë plotësisht të përkushtuara për trajtimin e drejtë dhe të barabartë të të gjithë individëve në Shtetet e Bashkuara".

"Presidenti ka një histori të dëshmuar se qëndron përkrah të gjithë atyre, zëri i të cilëve është injoruar prej kohësh dhe që nuk kanë arritur të përfitojnë nga ajo çka ofron vendi…”, thuhet në letër.

"Propaganda përçarëse, fallso dhe poshtëruese e lëvizjes që ushqehet nga teoria kritike bazuar tek kategoria e racës, bie ndesh me gjithçka që na karakterizon ne si amerikanë dhe nuk duhet të ketë vend në qeverinë federale," thuhet në udhëzimin e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG