Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk kritikoi Presidentin amerikan Donald Trump duke thënë se Bashkimi Evropian "duhet të jetë mirënjohës" që veprimet e fundit të tij hoqën çdo "iluzion" për bashkëpunim mes kontinentit evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Komentet gjatë një postimi në twitter të zotit Tusk vijnë si përgjigje ndaj vendimit të zotit Trump për t'u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranit dhe kërcënimit i tij për të vendosur sanksione ndëshkuese tregtare ndaj bllokut prej 28 vendesh.
Komentet u bënë përpara takimit në Sofie të krerëve të Bashkimit Evropian, ku pritet të shqyrtohen mundësitë për të mbajtur të paprekur marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe për të mbrojtur përpjekjet e Bashkimit për bashkëpunimin Ekonomik me Iranin. Më pas krerët e BE-së, do të takohen edhe me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian nuk pritet të marrë vendime të shpejta pas vendimit të zotit Trump për tërheqje nga marrëveshja me Iranin. Por pritet që udhëheqësit të vazhdojnë t'i përmbahen dispozitave të marrëveshjes dhe të marrin në konsideratë mundësitë për të mbrojtur investimet evropiane në Iran, nga të cilat pritet të përfitojnë shumë vende të BE-së.
Facebook Forum