Lidhje

Tubim proteste në Tiranë kundër armëve kimike


Grupe qytetarësh, studentësh dhe veprimtarë të mbrojtjes së mjedisit vijuan sot protestën e tyre kundër sjelljes së armëve kimike të Sirisë për t'u përpunuar në Shqipëri. Ata u mblodhën në sheshin Skënderbej, kaluan me thirrje e parrulla në duar shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” dhe protestuan në sheshin para kryeministrisë.

Studentëve iu bashkuan shumë qytetarë të moshave dhe profesioneve nga më të ndryshmet, dhe organizatorët ua dhanë fjalën disave prej tyre. Ata folën me shqetësim për njoftimet se lëndët kimike mund të rrezikojnë jetën e banorëve dhe mund të sjellin ndotje të tjera në natyrë.

Organizatorët e tubimit vlerësuan faktin që protesta ishte një reagim i qytetarëve, që iu përgjigjën ftesës së bërë përmes rrjeteve sociale, dhe se tubimi nuk kishte të bënte me parti politike apo shoqata të caktuara. Ata folën gjithashtu për rreziqet e ndotjes, të transportit të lëndëve kimike dhe mungesën e pajisjeve dhe të përvojës së ushtrisë shqiptare për këtë proces shkatërrimi.

Ata njoftuan se tubimet për të protestuar kundër armëve kimike do të vazhdojnë edhe nesër e në vazhdim para parlamentit dhe institucioneve të tjera. Opinioni publik ka shfaqur këto ditë një ndjeshmëri të veçantë lidhur me njoftimet se armët apo lëndët kimike të Sirisë mund të sillen për t'u shkatërruar në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG