Lidhje

Tubimi i presidentit Trump dhe çështja e pjesëmarrjes


A supporter of U.S. President Donald Trump takes a selfie near the BOK Center in Tulsa, Oklahoma, June 19, 2020.

Përdoruesit e aplikacionit TikTok morën pjesërisht meritën se kishin rritur artificialisht pritshmëritë për nivelin e pjesmarrjes në tubimin e Presidentit Trump në Tulsa të Oklahomës të shtunën, i cili rezultoi me një arenë të mbushur vetëm pjesërisht.

Përdoruesit e mediave sociale në disa platforma, thanë se ata ishin regjistruar për të marrë pjesë në tubim por në fakt nuk kishin shkuar.

Gazeta New York Times raportoi se tifozët e muzikës koreane pop kishin inkurajuar njerëzit të bënin të njëjtën gjë.

Para ngjarjes, menaxheri i fushatës së zotit Trump, Brad Parscale tha se kishte pasur më shumë se një milion kërkesa për të marrë pjesë.

Por të shtunën mbrëma, arena BOK Center me 19,000 ndenjëse kishte shumë vende bosh dhe Presidenti Trump si dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence u desh të anulonin fjalimet që do të mbanin për publikun në mjedisin jashtë arenës, i cili pritej të ishte “i tejmbushur".

Fushata Trump tha se hyrja në arenë ishte planifikuar të bëhej e lirë dhe jo me bileta.

"Të majtët gjithmonë mashtrojnë veten duke menduar se janë të zgjuar. Të regjistrohesh për një tubim thjesht nënkupton se ke konfirmuar pjesëmarrjen duke dhënë numrin e celularit, " tha zëdhënësi i fushatës Trump, Tim Murtaugh në një deklaratë. "Por ne i falënderojmë ata për informacionin e tyre të kontaktit."

Menaxheri i fushatës Brad Parscale tha se stafi i tij i veçon numrat e rremë dhe pikërisht kështu kishin vepruar me dhjetra mijëra numra celularësh, për të llogaritur pjesëmarrjen aktuale.

Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikëseve në Tulsa i tha agjencisë së lajmeve Reuters se numri i njerëzve arrinte afërsisht në 6,200.

Sipas disa njoftimeve, kishte qenë një video në TikTok e postuar nga Mary Jo Laupp, me hashtagun #TikTokGrandma, që kishte luajtur rol në regjistrimet falso. Videoja tani ka marrë më shumë se 700,000 pëlqime.

Këshilltarët e fushatës së zotit Trump e shihnin tubimin, i pari për zgjedhjet e nëntorit, si një mënyrë për të rigjallëruar bazën e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG