Lidhje

Tunizi, tranzicioni demokratik po kalon vështirësi


Një vit pasi Tunizia mbajti zgjedhjet e para të lira, analistët shprehin shqetësimin se tranzicioni në vendin afrikano-verior drejt një demokracie të gjallë ka ngecur. Ekonomia është në vështirësi, qeveria është e ndarë, dhe tunizianët janë mbërthyer në debate intensive lidhur me lirinë e fjalës, rolin e fesë dhe të drejtat e grave.

Pas revolucionit dhe zgjedhjeve të para demokratike, Tunizia pak a shumë i është kthyer normalitetit.

Edhe në bulevardin Habib Bourguiba gjendja është normalizuar megjithëse ka ende gjurmë të kryengritjes së janarit 2011, e cila shkaktoi një kryengritje më të gjërë, “Pranverën Arabe”.

Por kafenetë e mbushura me njerëz nuk janë me doemos një shenjë e mirë. Kamel Ayari duhet të jetë tani në punë, por ai nuk ka qenë në gjendje të gjejë punë.
Kamel AYARI, unemployed

“Kam aplikuar për punë në shumë biznese në Tunis, para dhe pas revolucionit. Ata zakonisht me thonë, “do t’ju telefonojmë”.

Të rinjtë nuk janë të vetmit që janë pa punë. Ish ministri dhe diplomati Hatem Ben Salem thotë se qeveria ka mënjanuar një kuadër të tërë të nëpunësve civilë me përvojë, të cilët kanë punuar në regjimin e vjetër.

“Ata donin të ndërtonin Tunizinë, të ndërtonin shtetin dhe të zhvillonin vendin. Ata janë këtu, po shikojnë se çfarë po ndodh me vendin, dhe janë përjashtuar nga të gjitha përpjekjet”.

Ben Salem thotë se ajo që po ndodh në Tunizi është shqetësuese. Ekonomia është në vështirësi dhe nuk po arrin të rimëkëmbet. Turistët janë kthyer, por jo si në ditët para revolucionit.

Tunizianët ankohen se shërbimet bazë dhe gjenjda e sigurisë janë shkatërruar.
Por Rachid Ghannouchi, udhëheqësi i partisë islamike në pushtet Ennahda, thotë se megjithatë Tunizia po ecën përpara ekonomikisht dhe politikisht.

“Tunizia po kalon nëpër një fazë shumë të vështirë tranzicioni demokratik. Pas 50 vitesh diktature, Tunizianët po mësojnë si të balancojnë lirinë dhe rendin”.

Gjetja e kësaj balance nuk është e lehtë. Në Tunizi ka tensione të mëdha politike, fetare dhe ekonomike.

Sot, kreu i Institutit të Politikave Arabe, Fares Mabrouk thotë se po zhvillohen negociata të mëdha mbi rolin e qeverisë, shoqërisë civile dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Në fakt, këto negociata kanë të bëjnë me llojin e demokracisë që ne duam. Ne duhet të krijojmë diçka të re, diçka që nuk ekziston. Ne nuk kemi një shembull ose referencë për këtë”.

Kritikët thonë se këto negociata po marrin shumë kohë. Ata nuk besojnë se parlamenti do të përfundojë hartimin e kushtetutës së re brenda afatit në muajin tetor apo se zgjedhjet do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, ashtu siç shpresojnë disa njerëz.
Tunizianët si Mohamed Aouani ende kanë shpresë.

“Realizimi i revolucionit tonë do të marrë kohë. Gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë”.

Tunizianët mund të jenë pakënaqur me të tashmen, por ata janë të gatshëm të presin për një të ardhme më të mirë.
XS
SM
MD
LG