Lidhje

Tunizi: Japin dorëheqjen ministrat e qeverisë së përkohshme


Tunizi: Japin dorëheqjen ministrat e qeverisë së përkohshme
Tunizi: Japin dorëheqjen ministrat e qeverisë së përkohshme

Në Tunizi, qeveria e përkohshme bëri sot mbledhjen e saj, e para që nga rrëzimi i ish-presidentit Zine El Abidine Ben Ali javën e kaluar. Kabineti u mblodh megjithë vazhdimin e protestave, në të cilat demonstruesit e kanë kritikuar qeverinë se ka lidhje tepër të ngushta me presidentin e përmbysur.

Sipas televizionit shtetëror tunizian, disa ministra të qeverisë së përkohshme kanë dhënë dorëheqjen nga partia në fuqi e ish-presidentit Ben Ali. Kryeministri Mohamed Ghannouci njoftoi të hënën një qeveri koalicioni ku bënin pjesë ministra të kabinetit të mëparshëm, i mbrojtjes, i brendshëm, i jashtëm dhe i financave.

Zoti Ghannouci dhe Presidenti i përkohshëm Fuad Mebazaa janë larguar që të dy nga Partia RCD në përpjekje për t’u distancuar nga ish udhëheqësi i vendit.

"Ju më njihni mua, e dini se jam i drejtë dhe besnik ndaj vendit. Premtoj se do të bëj ç’të mundem që vendi ta kalojë këtë gjendje dhe ne të realizojmë të gjitha shpresat legjitime që solli ky revolucion."

Ndërkohë, trupat tuniziane qëlluan në ajër si paralajmërim ndaj qindra protestuesve antiqeveritarë në kryeqytetin Tunis.

Protestuesit marshuan drejt selisë së partisë RCD. Ata kritikuan qeverinë e re të përkohshme se përbëhet nga ministra të lidhur ngushtë me presidentin e rrëzuar.

"Ata përfaqësojnë një turmë vampirësh por problemi ynë është liria e shprehjes. Njerëzit duhet të thonë fjalën e tyre, të marrin pjesë në jetën politike. Më parë ne ishim si qeraxhinj, tani jemi të zotët e shtëpisë."

Në përpjekjet e tyre për t’u shkëputur nga e kaluara, udhëheqja e përkohshme tuniziane liroi të burgosurit politikë dhe po përpiqet të gjejë pasuritë e fshehura jashtë vendit nga presidenti i rrëzuar dhe familja e tij.

XS
SM
MD
LG