Lidhje

Drejtësia në Turqi


Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se njëqind mijë njerëz të cilët u shkarkuan nga puna pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016, janë ende në pritje të drejtësisë ndërkohë që jeta e tyre është shkatërruar. Grupi i të drejtave të njeriut thotë se në shumicën e rasteve qeveria ka dështuar të paraqesë prova që justifikojnë spastrimin masiv të punonjësve publikë. Qysh nga përpjekja e dështuar për grusht shteti janë arrestuar gjithashtu dhjetëra gazetarë dhe punonjës të të drejtave të njeriut. Ndërsa Turqia kërkon një hetim të plotë për vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi në Stamboll, kritikët thonë se qeveria duhet të ofrojë drejtësi të barabartë për popullin e saj. Korrespondenti Henry Ridgwell na përcjell këtë material.

Pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik të vitit 2016, Turqia vendosi gjendjen e jashtëzakonshme - duke i dhënë qeverisë pushtet gjithëpërfshirës.

Protestat shpërthyen në të gjithë vendin, pasi gati 130 mijë punonjës të shërbimit publik u shkarkuan nga puna - përfshi mjekë, oficerë policie, mësues dhe nëpunës civilë. Gjendja e jashtëzakonshme përfundoi këtë verë. Por Amnesty International thotë dy vjet më vonë, shumë prej të shkarkuarve nga puna po përballen me varfëri.

"Ata janë gati si në listë të zezë. E kanë të vështirë të gjejnë punë diku tjetër. Në sektorin publik është e pamundur, por edhe në sektorin privat e kanë shumë të vështirë të punësohen. Kështu që këta njerëz janë varfëruar", thotë Milena Buyum me organizatën Amnesty International.

Qeveria akuzoi punonjësit e shkarkuar se gjoja ishin anëtarë të grupeve të ndaluara, të udhëhequr nga kleriku në mërgim Fetullah Gulen. Ai vetë mohon çdo përfshirje në grushtin e shtetit.

Nën presionin ndërkombëtar, Turqia ngriti një Komision Apeli. Komisioni ka marrë 125 mijë kërkesa - por ka shqyrtuar më pak se një të tretën e tyre, nga të cilat më pak se dhjetë për qind kanë marrë përgjigje pozitive.

“Si prova ata përfshijnë përshembull referenca të depozitave në para në një bankë tashmë të mbyllur, abonimin në një gazetë të caktuar apo anëtarësimin në një sindikatë të caktuar. Të gjitha aktivitetet janë të parrezikshme dhe në kohën që janë ndërmarrë nuk kanë qënë të paligjshme”, shpjegon Milena Buyum.

Gjendja e jashtëzakonshme solli gjithashtu arrestimin e dhjetëra gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Vrasja e gazetarit të Washington Postit, Xamal Kashogi në konsullatën saudite në Stamboll, ka tërhequr vëmendjen globale në shënjestrimin e gazetarëve. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka dënuar ashpër vrasjen dhe ka kërkuar drejtësi.

Por aktivistët akuzojnë Ankaranë për standarde të dyfishta.

"Ne duam që qeveria turke, e cila për fat të keq ka një historik shumë negativ për trajtimin e gazetarëve, ashtu si edhe Arabia Saudite, ta përdorë këtë rast si një mundësi për të ecur përpara në të ardhmen, duke u shkëputur nga e kaluara, për të bërë transparencë dhe për t'i dhënë fund këtij trajtimi brutal të gazetarëve", thotë Louis Charbonneau me organizatën Human Rights Watch.

Milena Buyum e Amnesty International përshëndet përgjigjen e ashpër të Turqisë ndaj vrasjes së gazetarit Kashogi.

"Ne do të donim të shihnim të njëjtën ashpërsi në kërkimin e drejtësisë, për të gjithë në Turqi."

Shumë prej të arrestuarve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme janë ende në gjyq, duke përfshirë dhjetra gazetarë dhe disa aktivistë të organizatës Amnesty International.

XS
SM
MD
LG