Lidhje

Shpërthim vdekjeprurës në juglindje të Turqisë


Kryeministri turk Binali Yildirim, tha se tetë veta u vranë dhe mbi 100 plagosën nga shpërthimi i një makine-bombë në juglindje te Turqisë, disa orë pasi që autoritetet turke arrestuan udhëheqësit e partisë më të madhe kurde.

Shpërthimi ndodhi në afërsi të stacionit të policisë në Diyarbakir ku po mbaheshin disa nga udhëheqësit politik kurd nën akuzat për terrorizëm. Shpërthimi shkatërroi muret e ndërtesave dhe zjarrfikësit po kërkojnë për njerëzit që mund të kenë mbetur nën gërmadha.

Një zëdhënës i Partisë Popullore Kurde, HDP, forca e dytë më e madhe opozitare në parlamentin turk, tha se arrestimi i dy udhëheqësve të partisë dhe të paktën nëntë deputetëve të tjerë, rrezikon të nxisë luftë qytetare.

Kryeministri Yildirim u tha gazetarëve se zyrtarët e zgjedhur që nxisin dhe mbështesin terrorizmin, duhet të përballen me procedurat ligjore dhe ata janë arrestuar sepse kanë refuzuar të japin dëshmi.

Arrestimet do të rrisin brengën në mesin e aleatëve perëndimorë pë shtimin e goditjeve ndaj disidentëve nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe qëndrueshmërinë politike në Turqi, një anëtare e NATO-s dhe zonë e ndërmjetme midis Evropës dhe konflikteve në Siri dhe Irak.

Arrestimet, që nxitën reagimin e shpejtë të Bashkimit Evropian, ndodhën në një periudhë kur Turqia ka arrestuar më shumë se 110 mijë zyrtare në lidhje me grusht shtetin e dështuar të muajit korrik. Turqia po shqyrton rivendosjen e dënimit me vdekje, ndërsa më herët gjatë javës arrestoi edhe gazetarë të gazetës kryesore opozitare.

"Lajme shumë të këqija nga Turqia sërish. Tash edhe anëtarët e parlamentit nga radhët e HDP-së janë arrestuar", shkroi në rrjetet sociale raportuesi për Turqinë ne Parlamentin Evropian, Kati Piri.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se është "jashtëzakonisht e shqetësuar" me arrestimet dhe bëri thirrje për një takim të ambasadorëve të BE0-së në Ankara.

Turqia juglindore është goditur nga trazirat politike dhe dhuna për më shumë se një vit që nga dështimi i armëpushimit me Partinë Punëtore Kurde (PKK), e cila po udhëheqë në kryengritje tridhjetëvjeçare për autonomë e kurdëve.

XS
SM
MD
LG