Lidhje

Turqi, gjendja ekonomike nxit korrupsion


Kryeministri i Turqisë ndodhet përballë akuzave për korrupsion mes një lufte për pushtet që ka mbërthyer elitën politike të vendit. Analistët thonë se përplasjet, që u kanë kushtuar vendet e punës 3 ministrave deri tnai, u nxit nga ngadalsimi ekonomik në një vend që është parë për një kohë të gjatë si një fuqi ekonomike në rritje në rajon.

Përplasjet politike të Turqisë u zhvendosën në parlament ku u kthyen në përleshje fizike. Ligjvënës rivalë u kapën për një projekt-ligj, që do t’i jepte qeverisë një rol më të madh në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Opozita thotë se kjo është një përpjekje për t’i vënë kapakun një skandali korrupsioni.
Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i ka karakterizuar akuzat për korrupsion si një përpjekje “grushtshteti juridik”, madje fajëson fuqitë e huaja.

“Një propagandë e madhe ka filluar kundër nesh. Ekziston një bandë, një komplot intrigash brënda shtetit”.

Më shumë se 10 mijë banorë protestuan kundër korrupsionit nëpër rrugët e Ankarasë javën e kaluar.

Gul Berna Ozcan e Universitetit Royal Holloway të Londrës thotë se akuzat përfshijnë qarqet më të larta të politikës dhe biznesit turk.

“Korrupsioni në fakt është shtuar, ndërsa ekonomia po përmirësohej. Pjesa kryesore e korrupsionit qeveritar ka të bëjë me tenderat publikë, shërbimet bashkiake, rregullimin e territorit urban dhe rural dhe privatizimin, kryesisht të pasurive publike”.

Skandali ka shkaktuar dorëheqjen e 3 anëtarëve të kabinetit. Disa shefa policie dhe 350 policë janë shkarkuar. Dhjetra të tjerë janë arrestuar.

Vëzhguesit thonë se spastrimi i pushtetit ka në shënjestër pasuesit e lëvizjes së fuqishme konservatore e njohur si Hizmet, e themeluar nga dijetari islamik me banim në Shtetet e Bashkaura, Fethullah Gulen.

“Lëvizja Gulen, e cila është një lloj platforme solidariteti, ka qënë gjithashtu pjesë e rishpërndarjes ekonomike nëpërmjet privatizimit, apo pasurive të patundshme të bashkisë. Kjo lëvizje e ka gjetur veten gjithnjë e më shumë të përjashtuar nga marrëveshjet e mëdha dhe fitimprurëse”.

Një rritje mesatare ekonomike prej 5.2 për qind në vit gjatë dekadës së fundit ka ndihmuar kryeministrin Erdogan që të fitojë 3 mandate në detyrë. Por që prej vitit 2011, ky zhvillim ka filluar të luhatet, thotë Fadi Hakura, analisti për Turqinë në institutin Chatham House.

“Tani që ekonomia po ngadalsohet, secila palë dëshiron të sigurojë një pjesë sa më të madhe të saj dhe kjo po nxit mosmarrëveshje të mëdha mes forcave konservatore në Turqi”.

Zoti Hakura thotë se Turqia është bllokuar në atë që ekonomistët e quajnë një grackë të të ardhurave të mesme.

“Aspektet më të rëndësishme janë produktiviteti, cilësia e kapitalit njerëzor, institucionet e fuqishme shtetrore, transparenca dhe shteti juridik. Në të gjitha këto aspekte, Turqia ka të meta serioze”.

Akuzat e fundit të korrupsionit shoqërohen me probleme më të mëdha ekonomike, thotë Gul Berna Ozcan.

“Sundimi i ligjit është pa dyshim para një rreziku të madh. Askush nuk dëshiron të investojë në një vend, ku sistemi juridik kontrollohet nga qeveria”.

Kryeministri Erdogan thotë se akuzat janë false dhe synojnë të dëmtojnë përpjekjet e tij në fushatën për president në zgjedhjet e planifikuara për në shtator.
XS
SM
MD
LG