Lidhje

Recep Tayyip Erdogan fitues i zgjedhjeve presidenciale në Turqi


Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan është fituesi i zgjedhjeve të para të drejtpërdrejta presidenciale në Turqi, pasi siguroi një shumicë absolute në zgjedhjet e së dielës. Fitorja e zotit Erdogan bën që sundimi i tij prej një dekade në politikën e Turqisë të vazhdojë më tej.

Në Stamboll, përkrahësit e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan filluan festimet për fitoren e tij presidenciale që para deklaratës zyrtare për rezultatin e zgjedhjeve. Zoti Erdogan fitoi pak më tepër se 50 për qind të votave, më pak se sa parashikimet e anketave, por një numër të mjaftueshëm votash për t'u bërë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë të drejtpëdrejtë në historinë 91-vjeçare të republikës turke.

Duke folur në lagjen Kasimpasa me banorë nga klasa punëtore, ku ai kaloi vitet e fëmijërisë, zoti Erdogan e përshkroi fitoren e tij si një hap të rëndësishëm për vendin.

Ai tha se, "për sa kohë që do të kem jetë, ne do të vazhdojmë t'i shërbejmë atdheut dhe kombit tonë. Ne do të punojmë bashkë më shumë, në mënyrë që në vendin tonë të mbretërojë demokracia përparimtare dhe paqja".

Zoti Erdogan e zhvilloi fushatën bazuar tek 12 vitet e tij si kryeministër, gjatë të cilave ai e transformoi Turqinë nga një prej ekonomive më të dobëta të Europës, në një fuqi rajoanle.

Rivali kryesor i kryeministrit, Ekmeleddin Ihsanoglu, kandidat i përbashkët i dy partive më të mëdha të opozitës, tha se zgjedhjet nuk ishin të drejta.

Ai tha se 30 ditë nuk është një kohë e mjaftueshme dhe ishte një garë jo e drejtë mes fuqive të pabarabarta, me mundësi jo të njëjta.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve po ashtu ngritën shqetësime lidhur me drejtësinë në procesin e votimeve.

Selahattin Demirtas, i partisë pro-kurde Partia e Demokracisë së Popullit, siguroi 10 për qind të votave, një shifër kjo shumë më e lartë se ajo që merr zakonisht partia e tij. Analistët thonë se platforma e Demirtasit për demokracinë fitoi mbështetjen e votuesve turq.

Por vëzhguesit thonë, se fitorja e zotit Erdogan, përbën një kthesë të shënuar, pas protestave mbarëkombëtare të vitit të kaluar dhe akuzave të mëdha për korrupsion ndaj disa prej ministrave qeveritarë dhe anëtarëve të familjes së tij.

Ai premtoi se në se zgjidhej, do ta transformonte figurën ceremoniale të presidentit në një presidencë ekzekutive. Kritikët e cilësojnë këtë një rrëmbim të pushtetit dhe thonë se kemi të bëjmë me hapin më të fundit nga zoti Erdogan për ta shndërruar vendin në një shtet autoritar.

Nëpër rrugët e Stambollit, banorët shprehin shqetësim për të ardhmen.

"Tayyip Erdogan mbështet politika islamike, prandaj shqetësohemi se situata mund të keqësohet. Për këtë arsye nuk mund të flas, për këtë arsye nuk dua të flas."- tha një banor.

Zoti Erdogan, i cili ka një të kaluar me prirje islamike, ju drejtua në mënyrë agresive kryesisht votuesve konservatorë islamikë. Kjo fushatë e ka rritur përçarjen e thellë politike që ka ekzistuar në Turqi mes konservatorëve dhe pjesës laike të shoqërisë turke.

Ngritja e urave të komunikimit mes këtyre dy grupeve shihet si detyra më imediate dhe e vështirë me të cilën përballet presidenti i 12-të i Republikës Turke.

XS
SM
MD
LG