Lidhje

Turqi, burgime të përjetshme për drejtuesit e grushtit të dështuar të shtetit


Turkey Failed Coup
Turkey Failed Coup

Një gjykatë turke dënoi të enjten me burgime të përjetshme drejtuesit e grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016, duke shpallur fajtorë qindra oficerë të ushtrisë, pilotë dhe civilë lidhur me përpjekjen për të rrëzuar Presidentin Reccep Tayip Erdogan.

Më shumë se 250 njerëz u vranë në përpjekjen e 15 korrikut 2016, kur një numër ushtarakësh rrëmbyen aeroplanë, helikopterë dhe tanke për të marrë kontrollin e institucioneve dhe për të përmbysur qeverinë.

Gjyqi i gati 500 të pandehurve shënoi pikën kulmore të dhjetra çështjeve gjyqësore që vunë në shënjestër mijëra njerëz të akuzuar për grushtin e dështuar të shtetit, për të cilin Ankaraja fajëson mbështetësit e predikuesit mysliman me banim në SHBA, Fethullah Gulen. Ai ka mohuar të ketë patur rol në këtë përpjekje.

Të pandehurit ishin akuzuar për drejtimin e grushtit të shtetit nga baza ajrore Akinxhi pranë Ankarasë dhe bombardimin e ndërtesave qeveritare, përfshirë parlamentin si dhe përpjekjen për të vrarë Erdoganin. Shumë nga komandantët ushtarakë të përfshirë tashmë janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Katër drejtues të rrethit, të quajtur "hoxhallarë civilë" për lidhjet e tyre me rrjetin e Gulenit, ishin midis 19 të pandehurve që morën 79 dënime të rënda nën akuzën e përpjekjes për të vrarë presidentin dhe për të kërkuar rrëzimin e rendit kushtetues, tha agjensia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Pilotët e avionëve F-16 që kryen sulme ishin gjithashtu midis atyre që morën dënime me burgim përjetë - dënimi më i rëndë në gjykatat turke - që do të thotë se ata nuk kanë mundësi për lirim me kusht.

Shumica e të pandehurve të tjerë morën gjithashtu dënime me burgim të përjetshëm. Shtatëdhjetë njerëz u liruan, tha Anadolu.

Kleriku 79-vjeçar Gulen, i cili dikur ishte një aleat i Erdoganit dhe ka mohuar çdo rol në grusht shteti, ishte njëri nga gjashtë të pandehurit që u gjykuan në mungesë. Dosjet e tyre u shqyrtuan veçazi gjyqit kryesor, thanë njoftimet e medias.

Pas grushtit të dështuar, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi – anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo ndërmori një ndëshkim në shkallë të gjerë që alarmoi aleatët perëndimorë të Ankarasë.

Rreth 292,000 njerëz janë arrestuar për lidhje të dyshuara me Gulenin, gati 100,000 prej tyre të burgosur në pritje të gjyqit, sipas Ministrit të Brendshëm Suleyman Soylu.

Rreth 150,000 nëpunës civilë u pushuan nga puna ose u pezulluan, ndërsa rreth 20,000 u përjashtuan nga ushtria. Gjykatat kanë dhënë më shumë se 2,500 dënime të përjetshme.

Operacionet policore që synojnë të dyshuarit e akuzuar për lidhje me Gulenin vazhdojnë rregullisht edhe sot.

Qeveria ka thënë se masat ishin të nevojshme, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat është përballur Turqia për të çrrënjosur rrjetin e mbështetësve të Gulenit të ngulitur thellë në aparatin shtetëror.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG