Lidhje

Kryeministri turk vë në shënjestër mediat sociale


Kryeministri i Turqisë dënoi mediat sociale dhe u zotua t’i shtypë ato dhe përdoruesit e tyre. Ka pasur arrestime, ndërkohë që po hartohet një projekt-ligj i ri për kufizimin e këtyre mediave, por vëzhguesit thonë se mediat sociale do të përdoren gjithnjë e më shumë, ndërsa shtohet shtypja e protestuesve nga ana e forcave policore. Dorian Jones i Zërit të Amerikës njofton nga Stambolli.

Kryeministri Erdogan u përpoq të mobilizonte përkrahësit e partisë së tij kundër trazirave civile disa javore ndaj atij që protestuesit e quajnë sundimi autoritar në rritje i kryeministrit. Por duke folur të kohët e fundit para mijëra përkrahësve, zoti Erdogan nuk përfilli shqetësimet rreth sundimit autoritar, duke thënë se trazirat popullore janë pjesë e një konspiracioni të madh ndërkombëtar, që tani përfshin edhe Brazilin.

“Loja që u luajt ndaj Brazilit kohët e fundit ishte e njëjta lojë që u luajt ndaj Turqisë. Mesazhet në Tweetter dhe në Facebook janë të njëjta. Protestat në Tuqi që prej fillimit janë shoqëruar me sjellje fare të papërshtatshme dhe me qëllime të këqija. Pjesëmarrësit vazhdimisht kanë gënjyer, janë angazhuar në manipulime dhe publikime lajmesh të reme, kanë ndërmarrë sulme dhe kanë dëmtuar drejtësinë”, tha kryeministri.

Zoti Erdogan i përshkroi mediat sociale si një kërcënim të madh ndaj shoqërisë në përhapjen e gënjeshtrave rreth qeverisë së tij. Sipas qeverisë së kryeministrit Erdogan, mediat sociale janë një element kyç në komplotin ndërkombëtar kundër tij. Qeveria turke ka konfirmuar tashmë kontrollin e rreth 5 milion mesazheve elektronike të formave të ndryshme, ndërkohë që po shqyrton projekt-ligje të reja për Internetin si dhe zgjerimin e kompetencave të agjencisë kombëtare të zbulimit.

Emma Sinclair Webb, studjuese mbi Turqinë në organizatën Human Rights Watch me seli në Nju Jork, thotë se ekziston një bazë ligjore për kontrollin e mesazheve në Tweetter, por ajo shpreh shqetësim se kompetencat e reja mund të abuzohen.

“Shprehja e mendimit në forma të ndryshme mund të kufizohet vetëm kur përbën një kërcënim të drejtpërdrejt dhe të pashmangshëm, pra këto kufizime duhen shikuar me shumë kujdes. Fatkeqësisht, ne kemi parë në Turqi për vite me rradhë gjykimin e njerzve sepse janë shprehur kundër qeverisë, diçka që nuk duhet të ndodhë”.

Një demonstrues, i mbytur nga gazi lotsjellës, thërret në sheshin Taksim të Stambollit, qendra e protestave kombëtare. Imaxhet e videos u përhapën me shpejtësi përmes medias sociale në Turqi. Mediat sociale, veçanërisht Facebook dhe Twitter, po përdoren nga protestuesit që të ekspozojnë dhunën e përdorur nga policia dhe ashtu si në Pranverën Arabe, këto media përbëjnë një platformë për demonstruesit që të organizohen.

Yaman Akdeniz, ekspert në Universitetin Bilgi të Stambollit mbi lirinë kibernetike, thotë se ndërsa rëndësia e mediave sociale po shtohet, ai ka frikë nga shtypja në rritje ndaj këtyre mediave dhe përdoruesve të tyre.

“Njerëzit do të varen tani tek mediat sociale sepse këto platforma nuk mund të kontrollohen nga qeveria. Nuk mund të përdorësh gaz lotsjellës apo pompa uji kundër këtyre mediave. Nuk mendoj se qeveria turke do të jenë në gjendje të kontrollojë mediat sociale; asnjë qeveri tjetër nuk ka arritur ta bëjë këtë. Prandaj unë mendoj se autoritetet turke do të përqëndrohen në identifikimin e përdoruesve të këtyre mediave dhe ndjekjen penale të tyre, duke bërë që të gjithë njerëzit të kenë frikën e autoriteteve sepse nuk e dinë nëse do të hetohen apo arrestohen. Shumë njerëz u arrestuan në qytetet Izmir dhe Adana”.

Të shtunën televizioni turk tregoi pamje të bastisjeve nga forcat policore në orët e para të mëngjesit si dhe arrestimin e 22 vetave. Shumë njerëz janë arrestuar për mesazhet në Tweetter.

Në një kafene në qendër të Stambollit, një grup protestuesish po diskutojnë hapat e tyre të ardhshëm. Tani që disa demonstrues janë akuzuar në bazë të ligjeve kundër terrorit dhe krimit të organizuar, të gjithë janë të vetëdijshëm rreth rreziqeve.

Gjatë protestave nëpër rrugë, policia është përpjekur të shpëndajë protestuesit në qytete të ndryshme. Tani vëzhguesit paralajmërojnë se beteja po përhapet në Internet.
XS
SM
MD
LG