Lidhje

Shtyhen bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE


Gjermania këmbënguli se duhej dërguar një sinjal mosmiratimi nga BE-ja lidhur me shtypjen e protestave anti-qeveritare në Turqi

Bashkimi Evropian ka vendosur të shtyjë për më vonë gjatë këtij viti bisedimet me Ankaranë, të cilat synojnë të çojnë përpara procesin e anëtarësimit të Turqisë. Gjermania kishte bërë thirrje për këtë shtyrje, duke thënë se duhej dërguar një sinjal mosmiratimi nga BE-ja lidhur me shtypjen e protestave anti-qeveritare kohët e fundit.

BE-ja kishte planifikuar të rigjallëronte procesin e anëtarësimit të Turqisë në bllokun 27-vendesh. Bisedimet duhet të fillonin sot, duke hapur kështu një kapitull të ri në këtë proces.

Por shtypja e protestave anti-qeveritare në qytete në të gjithë Turqinë ka tronditur shumë vende evropiane. Të udhëhequr nga Gjermania, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian votuan për të vonuar fillimin e bisedimeve të paktën deri në mes të muajit tetor.

"Nga njëra anë, nuk mund të shtiremi sikur negociatat zhvillohen në një vakuum ku ditët e fundit nuk kanë ndodhur. Nga ana tjetër, duhet gjithashtu të sigurohemi që interesat tona të përbashkëta strategjike e afatgjata të jenë të mbrojtura."

Vendimi për shtyrjen e bisedimeve ishte pragmatik, thotë Pawel Swidlicki, një analist i grupit për politikat “Evropa e Hapur”, me qendër në Londër.

"Është diçka që shpëton reputacionin e të gjithë të përfshirëve. Askush nuk dëshiron të thotë se ky proces nuk po jep fryte, kështu që kanë rënë dakord të shtyjnë takimet e ardhshme deri pas zgjedhjeve gjermane, sepse kjo do të jetë një çështje e debatueshme në ato zgjedhje."

Zgjedhjet në Gjermani do të zhvillohen në shtator. Konservatorët e kancelares Angela Merkel e kundërshtojnë anëtarësimin e Turqisë në BE edhe në manifestet e tyre elektorale.

Duke folur në Dhomën e Tregtisë gjermano-turke, ajo përsëriti qëndrimin e saj ndaj protestave.

"Nuk dua ta fsheh faktin se u trondita nga disa foto nga Turqia që kemi parë kohët e fundit. Shpresoj që përmes dialogut, në të ardhmen të mund të gjendet një zgjidhje."

Gjatë tre javë përleshjesh në Stamboll dhe në të gjithë Turqinë katër persona kanë vdekur dhe rreth 7 mijë e 500 janë plagosur. Shumë vende evropianë thonë se reagimi i policisë ka qenë tepër i ashpër.

Por kryeministri Erdogan refuzon të tërhiqet, duke i quajtur veprimet e policisë kohët e fundit si heroike. Zoti Erdogan e humbi interesin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian shumë kohë para se të shpërthenin protestat, thotë Fadi Hakura i institutit të politikave Chatham House.

"Kjo mund të shpjegohet pjesërisht nga kohëzgjatja e tij në detyrë dhe nga fakti që disa vende evropiane, veçanërisht Gjermania dhe Franca, nuk duan që Turqia t’i bashkohet së shpejti bllokut evropian."

Por Britania, së bashku me disa anëtarë të tjerë të BE-së, duan që Turqia të bëhet anëtare e organizatës. Sërish, zoti Pawel Swidlicki:

"Turqia ka potencial të madh ekonomik, në një kohë kur Evropa është e bllokuar politikisht, ekonomikisht dhe demografikisht. Në fakt, ka një sërë sfidash shumë serioze të cilat bëjnë shumë kontrast me dinamizmin e Turqisë."

Ndërkohë, kryebashkiaku i Stambollit ka paralajmëruar se protestat mund t’i kushtojnë qytetit Olimpiket e vitit 2020. Organizatorët do të zgjedhin në shtator qytetin ku do të zhvillohen Lojërat dhe autoritetet e Stambollit janë të shqetësuara se imazhe të tilla do të krijojnë avantazh për kandidatët rivalë si Madridi dhe Tokio.
XS
SM
MD
LG