Lidhje

Turqia dështon të mbrojë gratë nga dhuna familjare, thotë HRW


Turqia dështon të mbrojë gratë nga dhuna familjare, thotë HRW
Turqia dështon të mbrojë gratë nga dhuna familjare, thotë HRW

Kohët e fundit, një raport i organizatës Human Rights Watch kritikoi Turqinë se ka dështuar të mbrojë gratë nga dhuna familjare. Raporti botohet ndërkohë që qeveria turke pohon se ka ndërmarrë reformat më të gjera ligjore për mbrojtjen e grave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dorian Xhons, sjell hollësi nga Stambolli.

Raporti përshkruan një gjendje të dëshpëruar për shumë gra që jetojnë në Turqi. Me titullin “Ai të do, ai të rreh: Dhuna familjare në Turqi dhe mundësia për mbrojtje”, botimi fajëson qeverinë se sistematikisht ka dështuar të mbrojë gratë. Autorja e raportit, Gauri van Gulik, thotë se pavarësisht nga fakti se Turqia ka ndërmarrë reforma të shumta ligjore për mbrojtjen e grave, pak gjë ka ndryshuar.

“Ekziston një mungesë besueshmërie. Nga njëra anë, është bërë gjithë ky përparim i mahnitshëm në aspektin e legjislacionit: janë reformuar kodi penal dhe ai civil. Kanë vendosur në parim një sistem mbrojtjeje me ligj. Por në anën tjetër, asnjë ligj nuk është zbatuar si duhet. Pra, gratë nuk mund të presin të gëzojnë mbrojtjen që u nevojitet as edhe në rrethanat më të tmerrshme. Ka raste kur policia u ka thënë atyre: kthehu te burri”.

Raporti citon një sondazh turk të vitit 2009, që arrinte në përfundimin se 42 përqind e grave të moshës mbi 15-vjeçare kishin pësuar abuzim ose fizik ose seksual në duart e burrit ose partnerit.

Raporti kritikon ashpër dështimin e policisë për ta marrë seriozisht dhunën në familje. Ai bën thirrje për trajnim më të mirë si dhe pasoja ligjore për policët që dështojnë t’u ofrojnë mbrojtjen e duhur grave të abuzuara. Gjetjet e raportit mbështeten në 40 studime rastesh të ndryshme. Autorja Gulik përshkruan një nga më shqetësueset:

“Ajo m’i tregoi plagët që kishte pësuar në kafkë. I kishte kafkën dhe këmbët të thyera sepse përdhunohej rregullisht. Burri madje edhe e ka shitur për shfrytëzim seksual. Kur ishte shtatzënë, ai e kishte goditur në bark pa pushim, kështu që sot ajo ka dy fëmijë me të probleme mendore për shkak të kësaj. Edhe fëmijët e saj po keqtrajtohen. Ajo shkoi në polici tri herë me radhë dhe e kthyen prapa secilën herë”.

Sipas zonjës Gulik, gruaja në fjalë ende jeton me burrin e saj. Partia në pushtet, AK, që synon të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, nuk ka komentuar mbi raportin. Në të kaluarën, ajo ka hedhur poshtë kritikat rreth gjendjes së të drejtave të grave, duke këmbëngulur në reformat ligjore që ka ndërmarrë për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por kritikët thonë se për shkak të rrënjëve islamike që ka, partia AK ngurron të zbatojë plotësisht reformat nga frika se mos zemëron militantët me pikëpamje konservatore. Pënar Ilkkaraxhan e organizatës joqeveritare turke, Gratë për të Drejtat e Grave, thotë se të gjitha qeveritë e fundit janë fajtore për gjendjen e tanishme.

“Të paktën tani, nuk ka dyshim se dhuna në familje ekziston. Por për fat të keq, në këto 25 vjet, shumë pak është bërë për të punuar kundër dhunës. Në krahasim me vendet evropiane, shohim se Turqia është shumë prapa në zhvillimin e një programi për të ndaluar dhe mënjanuar dhunën ndaj grave”.

Të drejtat e grave mbeten një nga shqetësimet kryesore të BE-së në lidhje me përpjekjet e Turqisë për anëtarësim. Javën e ardhshme, partia në pushtet synon të nënvizojë përkushtimin ndaj të drejtave të grave, duke organizuar në Turqi ceremoninë e nënshkrimit të një konvente të re të Këshillit të Evropës për parandalimin e abuzimit në familje.

XS
SM
MD
LG