Lidhje

Turqia: Mund të blejmë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore nga Rusia


Mevlut Çavusoglu

Turqia paralajmëroi të mërkurën se mund të blejë avionë dhe sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore nga Rusia nëse Uashingtoni nuk do t’i shesë asaj sistemet e mbrotjes raketore Patriot dhe aeroplanët F-35.

Kjo ka rritur mundësinë e lidhjeve më të forta të mbrojtjes mes Moskës dhe Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.

Planet ekzistuese të presidentit Tayyip Erdogan për të blerë sistemin rus S-400 kanë alarmuar Shtetet e Bashkuara që thonë se sistemi nuk është në përputhje me ato e NATO-s dhe se do të komprometonte sigurinë e avionëve F-35 që Turqia synon të marrë nga SHBA.

Uashingtoni i ka ofruar Ankarasë dy mundësi, duke i propozuar t’i shesë si sistemet Patriot në vend të S-400-s, por në të njëjtën kohë e ka paralajmëruar për sanksione dhe se do të ndalë shitjet e avionëve F-35, nëse Ankaraja blen sistemet ruse të mbrotjes.

Turqia nuk ka dhënë shenja tërheqjeje dhe zoti Erdogan, i cili zhvilloi bisedime me presidentin Vladimir Putin këtë javë në Moskë, u citua të ketë thënë të mërkurën se marrja e porosisë së parë për sisteme S-400 mund të ndodhë edhe më shpejt sesa muaji korrik, afati i paracaktuar.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu përsëriti gjithashtu qëndrimin e Ankarasë se blerja e S-400-s është një marrëveshje e mbyllur dhe se vendi i tij do t’i plotësohte nevojat në fushën e mbrojtjes nga vende të tjera, nëse kjo do të ishte e nevojshme.

Nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i shesin, atëherë ne do t’i blejmë sistemet Patriot. Por nëse Shtetet e Bashkuara nuk duan, ne mund të blejmë më shumë S-400 apo sisteme të tjera. Ka sisteme ruse SU-34, SU-57 e të tjera. Do të plotësojmë absolutisht nevojat gjetkë derisa të jemi në gjendje t’i prodhojmë vetë”, tha zoti Cavusoglu për transmetuesin televiziv turk NTV.

I pyetur mbi komentet e zotit Cavusoglu, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Rusia po shihte mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ushtarak e teknik me Turqinë. "Ky është një proces absolutisht normal", u tha ai gazetarëve.

Të martën, udhëheqësit e komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Forcave të Armatosura në Senatin amerikan paralajmëruan Turqinë se po rrezikon sanksione të ashpra nëse vazhdon me planet për të blerë sistemet S-400.

"Deri në fund të vitit, Turqia do të ketë ose avionë të avancuar luftarakë F-35 ose një sistem rus S-400 të mbrojtjes nga raketat, por nuk mund t’i ketë të dyja", thanë senatorët republikanë Jim Risch dhe Jim Inhofe si dhe senatorët demokratë Bob Menendez e Jack Reed.

Mosmarrëveshjet e krijuara lidhur me blerjen e sistemeve S-400 janë vetëm një tregues i marrëdhënieve të tendosura mes dy aleatëve të NATO-s.

Ata kanë gjithashtu mosmarrëveshje lidhur me strategjinë ushtarake në Sirinë veriore, sanksionet ndaj Iranit si dhe ndalimin e stafit lokal të konsullatës amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG