Lidhje

Turqia përkujton përvjetorin e grushtit ushtarak


Turqia po përkujton përvjetorin e tretë të mposhtjes së grushtit ushtarak të 2016-s, ndërkohë që pasojat e asaj ngjarjeje po i thellojnë ndarjet politike brenda vendit dhe vazhdojnë të tendosin marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan mori pjesë të hënën në një seri ceremonish në kryeqytetin Ankara, për të shënuar përvjetorin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016. Ai vizitoi gjithashtu selinë e forcave të sigurisë kombëtare, skenë e luftimeve të përgjakshme gjatë natës së përpjekjes për grusht shteti.

Zoti Erdogan mori pjesë gjithashtu në një tubim në aeroportin Ataturk të Stambollit. Ardhja e presidentit në aeroport natën e grushtit ushtarak shihet gjerësisht si pikë kthese, ku ai grumbulloi mbështetje kundër përpjekjes së dështuar.

Ditën e grushtit të dështuar zoti Erdogan ishte duke pushuar në një pikë turistike të vendit dhe për pak sa nuk u kap nga forcat ushtarake të rebeluara.

Ndërtesa e parlamentit dhe pallati presidencial u bombarduan nga ajri. Më shumë se 250 vetë u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën, shumica e tyre civilë të paarmatosur që po i rezistonin grushtit ushtarak.

Vëzhguesit thonë se zoti Erdogan i shfrytëzoi ceremonitë për përkujtimore për të konsoliduar bazën e tij politike, mes zërave në rritje për pakënaqësi dhe dështimeve elektorale.

Ka kritika gjithnjë në rritje, madje edhe nga mbështetësit e tij, mbi ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e goditjejeve që pasuan grushtin e dështuar të shtetit. Rreth 150,000 njerëz janë hequr nga puna dhe rreth 70,000 të tjerë janë burgosur në një valë goditjeje që vazhdon edhe sot me arrestime.

Dyqind media janë mbyllur dhe dhjetëra gazetarë janë burgosur. Sipas vëzhguesve, Turqia është burgu më i madh i gazetarëve në botë.

Fillimisht, goditja pati mbështetje të gjerë politike, por konsensusi ka kohë që është dobësuar.

Kritikët e akuzojnë zotin Erdogan se e përdori goditjen për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve, akuzë e bërë nga shumë aleatë perëndimorë të Turqisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG