Presidenti amerikan Barak Obama ka ftuar këtë javë në Uashington grupin më të madh të udhëheqësve afrikanë të mbledhur ndonjëherë në kryeqytetin amerikan. Ata kanë ardhur këtu për të diskutuar mbi fuqizimin e lidhjeve të Shteteve të Bashkuara me Afrikën.
Udhëheqësi amerikan shpreson të nxisë krijimin e kapaciteteve, investimet në infrastrukturë, sigurinë e rezervave ushqimore dhe shtimin e shkëmbimeve tregtare me këtë rajon që është lënë në harresë nga administratat e mëparshme.
Presidenti Obama beson se ka ardhur koha që amerikanët të ndryshojnë mendim për Afrikën, në një kohë që gjashtë ndër dhjetë ekonomitë globale me rritjen më të shpejtë janë në këtë kontinent. Presidenti thotë se Afrika është gati për investime amerikane:
“Kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit jo vetëm për t’i dërguar Afrikës ndihma tradicionale për vende të prekura nga mungesat ushqimore, apo për të luftuar SIDA-n, por edhe në mënyrën si lidhim partneritete dhe si i konceptojmë shkëmbimet tregtare dhe afariste me Afrikën”.
Por në një protestë në Uashington, thirrjet kundër marrëdhënieve me udhëheqësin etiopian, janë një sinjal i rreziqeve që sjellin investimet në vende ku sundojnë qeveri të korruptuara dhe shtypëse.
Në angazhimin për ndihma dhe investime, Amerika duhet të tregohet e kujdesshme që të mos ndihmojë ato praktika, të cilat po përpiqet t’i luftojë, thotë analistja e çështjeve afrikane Jennifer Cooke:
“Ky ka qenë problem prej kohësh. Shtetet e Bashkuara duhet të marrin masa për t’u siguruar që ndihmat që japin në shëndetësi, arsim apo mbrojtje, nuk devijohen dhe përdoren për të mbajtur në fuqi regjime të caktuara. Është një objektiv i vështirë, veçanërisht në vende ku Amerika ka interesa sigurie”.
Takimi përqëndrohet tek tregtia, zhvillimi dhe ruajtja e paqes; në axhendë nuk ka diskutime të veçanta për sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut. Analistët thonë se t’i ftosh këtu udhëheqësit afrikanë dhe pastaj të fillosh t’u japësh leksione nuk do të ishte me vend.
Presidenti Obama ka folur për atë që e cilëson si nevojë për ndryshime kulturore në Afrikë. Ai tha në një takim me të rinj afrikanë se rinia duhet të respektojë traditat, por nuk duhet të pranojë disa nga praktikat e vjetra:
“Ka disa tradita që duhet të eliminohen. Gjymtimi gjenital i femrave nuk është për mua një traditë që duhet të ruhet. Unë e shoh si një traditë barbare që duhet të zhduket”.
Ndër temat delikate janë masat kundër homoseksualëve që kanë marrë vende si Uganda, një partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet me Ugandën janë keqësuar si rezultat i kundërshtimit amerikan ndaj një ligji të rreptë që miratoi Uganda, por që tani e ka anuluar, i cili ndëshkonte me vdekje aktet homoseksuale.
Zoti Obama duhet të gjejë mënyra për të shprehur qëndrimin amerikan, pa rrezikuar partneritetet, thotë analistja Cooke:
“Qeveria amerikane duhet të tregohet e kujdesshme se si komunikon për këto tema, veçanërisht për çështjen e homoseksualëve, në mënyrë që të mos thellojë retorikën e udhëheqësve afrikanë që këto janë qëndrime të imponuara nga Perëndimi”.
Kapërcimi i këtij perceptimi është një ndër synimet e zotit Obama në Afrikë, në një kohë kur administrata po përpiqet të rrisë marrëdhëniet me këtë kontinent me potencial.