Presidenti Donald Trump foli sot në Mëngjesin e 66-të të Lutjeve, një ceremoni e përvitshme ku presidentët mblidhen me udhëheqës botërorë fetarë, politikë, socialë dhe të biznesit nga e gjithë bota, për të nderuar besimin dhe miqësinë.
Presidenti Trump tha se besimi është qendror në jetën e amerikanëve. Ai foli për shpirtin e amerikanëve dhe ndihmën që i japin njëri-tjetrit në momente të vështira dhe në nevojë.
“Ne shohim hirin e Zotit tek ushtarët tanë që rrezikojnë jetën për lirinë tonë. E shohim tek mësuesit që punojnë pa u lodhur për nxënësit e tyre dhe policët që sakrifikojnë për komunitetet tona, dhe shohim hirin e zotit tek nënat dhe baballarët që kanë dy ose tre punë, që t’u japin fëmijëve shansin për një jetë më të mirë, më të begatë dhe më të lumtur”.
Presidenti Trump foli për ndihmën që miq, të panjohur dhe punonjës së ndihmës së shpejtë e zjarrfikës dhanë pas katastrofave humanitare dhe ngjarjeve të dhimbshme si sulmi në Las Vegas. Ai foli për fqinjë që ndihmojnë.
“Së bashku si amerikanë, ne jemi një forcë e palodhur për drejtësi dhe për paqe. Kemi qenë dëshmitarë të kësaj së vërtetë gjatë vitit të kaluar. Për vite me radhë, ISIS kishte torturuar dhe vrarë brutalisht të krishterë, hebrenj, pakica fetare dhe shumë myslimanë. Sot koalicioni kundër ISIS-it ka çliruar pothuajse 100 të territorit që deri vonë ishte nën kontrollin e këtyre vrasësve në Irak dhe në gjithë Sirinë”.
Duke përmendur njerëzit që vuajnë të shtypur në Iran, Kubë, Venezuelë, Korenë e Veriut dhe vende të tjera, Presidenti Trump tha se Amerika është gjithmonë në krah të atyre që janë të shtypur dhe vuajnë përndjekje për arsye fetare.
Në ceremoninë e sotme, morën pjesë udhëheqës dhe politikanë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në fillim të ceremonisë, me të tjerëve u vlerësua prania e udhëheqësve të Kosovës.
Mëngjesi kombëtar i Lutjeve, i organizuar nga Fondacioni për Miqësinë, mbledh çdo vit mijëra vetë nga e gjithë bota dhe tërheq veçanërisht evangjelistët.
Çdo president amerikan që nga koha e Dwight Eisenhower ka folur në Mëngjesin e Lutjeve që kur filloi në vitin 1953.
Facebook Forum