Lidhje

Një qendër bamirësie nën shembullin e Nënë Terezës


Shumë veta e njohin si Nënë Tereza e Kalkutës bamirësen e famshme me origjinë shqiptare, por emri i saj i vërtetë ishte Anjeze Gonxhe Bojaxhiu. Ndërkohë që bota përgatitet për shenjtërimin e saj më 4 shtator, korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo na sjell momente të jetës dhe veprës së Nobelistes që mori emër si një njeri i përkushtuar pas humanizmit dhe ndihmës për më të pashpresë:

E veshur me sarin e bardhë me vija bojë qiell, Nënë Tereza hapi shoqatën Misionaret e Bamirësisë për të ndihmuar të varfërit në rrugët e Kalkutës. Por shumë shpejt misionaret e saj u përhapën në të gjithë botën.

Motra Nishi është një ndër katër murgeshat që operojnë qendrën në rrugën Wheeler në pjesën jug-lindore të Uashingtonit:

“Çdo ditë, përveç të enjteve, shërbejmë ushqim. Murgeshat gatuajnë, kemi vullnetarë që vijnë për të shërbyer. Disa herë vullnetarët duan të shërbejnë ushqim. Në ata raste ata vetë gatuajnë. Fillojmë që në 8:30 të mëngjesit”.

Një orë më pas fillojnë lutjet, pak para se të shërbehet ushqimi që përgatitet me ndihmën e vullnetarëve. Houston Roberson, pjesëtar i komunitetit fetar Shën Peter Claver, filloi të ndihmonte pesë vjet më parë, kur vinte si vullnetar një herë në muaj. Tani ai vjen një herë në javë.

“Shumicën e kohës gatuaj, ndihmoj për të përgatitur ushqimin dhe tani kam detyrën e pastrimit, pasi do të laj dyshemenë”.

Ai thotë një individ gjykohet nga mënyra se si i trajton të tjerët, sidomos ata për të cilët nuk kujdeset njeri. Nënë Tereza ishte zëri i më të pashpresëve; ajo vazhdon të flasë në emër të tyre përmes vullnetarëve që punojnë në misionet e saj:

“Nënë Tereza është gjallë brenda nesh. Ajo na tregoi se ç’do të thotë të jesh katolik. Ajo mori ata më të varfërit dhe i trajtoi me dinjitet. Ashtu po veprojmë edhe ne këtu. Ne i trajtojmë të gjithë me dinjitet. Nuk përçmojmë askënd”.

Në 2003, Nënë Tereza u lumnua nga Papa Gjon Pali II. Ndërkohë që shumë veta shihnin tek ajo një simbol ndërkombëtar të bamirësisë që vlerësohej nga udhëheqës ndërkombëtarë dhe adhurohej nga miliona vetë, të tjerë e kritikonin për shpërdorim fondesh dhe si nje njeri i dhënë pas lavdeve për punën e saj.

Michael Witczak është lektor i studimeve fetare në Universitetin Katolik të Amerikës:

“Është e vërtetë se ka kritika dhe ato janë trajtuar me seriozitet, por Kisha Katolike nuk e sheh se ato zhbëjnë bindjen e përgjithshme se vepra e saj u frymëzua nga mirësia dhe se ajo ishte një shembull pozitiv për të tjerët”.

Ai shembull ka frymëzuar Motrën Leonarde, e cila e takoi Nënë Terezën në 1981, kur erdhi për të përuruar qendrën.

“Për mua ajo është shembulli i një motre të dashur dhe të mëshirshme dhe i dritës që lëshon dashuria e Zotit mbi botën”.

Ishte 106 vjetori i ditëlindjes së Nënë Terezës kur Zëri i Amerikës vizitoi qendrën e bamirësisë në Uashington, ku gjejnë ngrohtësi nevojtarët, gjejnë mbrojtje gratë shtatëzëna që nuk kanë strehë tjetër dhe gjejnë mbështetje dhe ndihmë fëmijë të një programi passhkollor.

XS
SM
MD
LG