Lidhje

Udhëheqësi ushtarak i Mianmarit: junta do të mbajë zgjedhje të reja


Mianmar protests

Udhëheqësi i ri ushtarak i Mianmarit tha të hënën se junta në fuqi do të mbajë zgjedhje të reja dhe do t'ia dorëzojë pushtetin fituesit, duke thënë se fushata për votimet e nëntorit të kaluar nuk ishte e drejtë.

Gjenerali Min Aung Hlaing i bëri komentet në një fjalim televiziv ndërsa dhjetëra mijëra njerëz iu bashkuan demonstruesve në mbarë vendin duke dënuar ushtrinë për marrjen e pushtetit të hënën e kaluar.

Policia paralajmëroi protestuesit të shpërndaheshin, përndryshe do të përdorte forcën. Protestat kundër grushtit të shtetit dhe arrestimit të udhëheqëses civile Aung San Suu Kyi, kanë hyrë në ditën e tretë. Zgjedhjet e nëntorit u fituan nga Lidhja Kombëtare për Demokraci e zonjës Suu Kyi.

Gjeneralët u përpoqën më herët të justifikonin marrjen e pushtetit me arsyen se pati mashtrime në zgjedhje dhe kishin premtuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Gjenerali Min Aung Hlaing e përsëriti këtë premtim në fjalimin e tij të hënën, duke thënë se junta do të formonte një "demokraci të vërtetë dhe të disiplinuar" ndryshe nga periudhat e mëparshme të sundimit ushtarak.

Ai tha se komisioni zgjedhor duhet të reformohet. Ai tha gjithashtu se komisioni kishte përdorur pandeminë e koronavirusit si justifikim për të mos lejuar një fushatë të ndershme.

Në kryeqytetin Naypyitaw, policia e pajisur me mjete kundër trazirave qëndronte në rrugë e vendosur në tre rreshta, ndërsa protestuesit hidhnin parulla kundër grushtit të shtetit. Protestuesit i kërkonin policisë t'u shërbente qytetarëve dhe jo ushtrisë, sipas dëshmitarëve.

Policia vendosi në rrugë një njoftim ku thuhej se ajo mund të përdorte municion të vërtetë nëse demonstruesit kalonin rreshtin e tretë të tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG