Lidhje

Ukrainë: A e mbrojnë apo e cënojnë lirinë e fjalës projektligjet e reja?


Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy duke folur me gazetarët në Kiev

Një nga premtimet e fushatës së Presidentit ukrainas Volodmyr Zelensky ishte të kufizonte ndikimin e oligarkëve të vendit në median ukrainase, si dhe të mbronte hapësirën e informacionit të vendit nga dezinformatat dhe propaganda ruse. Si rezultat, qeveria e zotit Zelensky ka hartuar dy ligje: Ligjin për Mediat dhe Ligjin për Dezinformimin. Megjithë synimin e tyre për të mbrojtur lirinë e shtypit, të dyja ligjet janë kritikuar ashpër nga organizatat ndërkombëtare, të cilat shqetësohen për mënyrën sesi ligjet mund të ndikojnë në lirinë e fjalës.

Kohët e fundit, qeveria ukrainase prezantoi dy projektligje që synojnë luftimin e dezinformimit. Ligjet parashikojnë transparencë në lidhje me pronësinë e mediave të Ukrainës dhe gjithashtu do të penalizojnë ata që zbulohen se shpërndajnë dezinformacion.

Por mbrojtësit e fjalës së lirë, siç është gazetari investigativ amerikan Michael Isikoff, thonë se është e rrezikshme kur qeveritë vendosin shtrëngime ndaj fjalës së lirë, të çfarëdolloji qofshin ato.

Dezinformimi është pa dyshim një kërcënim serioz global. Por, nëse lejojmë qeveritë të rregullojnë dhe përcaktojnë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme, rreziku mund të jetë po aq i madh sa edhe nga vetë dezinformimi", thotë Michael Isikoff, Shef i Gazetarisë Investigative, në Yahoo News.

Ligjet e propozuara shkaktuan zemërim mes gazetarëve ukrainas, të cilët i konsiderojnë masat asgjë më shumë se një përpjekje për të heshtur kritikët e qeverisë.

"Ne besojmë se qeveritarët duhet të kenë frikë nga gazetarët, ata duhet të ndiejnë përgjegjësinë e tyre, ata nuk duhet të frikësojnë gazetarët. Gazetarët nuk duhet të tremben nga zyrtarët e qeverisë. Ne po mësojmë se si të jemi një demokraci dhe nuk shohim shembuj të vendeve të lira ku frikësohen gazetarët", thotë Serhiy Tomilenko, i Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve të Ukrainës.

Kjo iniciativë ngre gjithashtu shqetësime në lidhje me politikën e qeverisë për të mposhtur korrupsionin në Ukrainë, thotë zoti Isikoff.

"Zelensky është portretizuar në Shtetet e Bashkuara si një reformator, si dikush që po përpiqet të heqë korrupsionin. Kështu që ishte paksa tronditëse të lexosh që administrata e tij po propozon legjislacion që do të kufizonte një liri thelbësore, që është liria e shtypit", thotë zoti Isikoff.

Ajo që ngriti shqetësimet më të mëdha mes gazetarëve dhe ekspertëve ishte prezantimi i përgjegjësisë penale për shpërndarjen e dezinformatave. Këto çështje, thonë ekspertët, duhet të vendosen në gjykatat civile.

"Sa herë që ekziston ndonjë qëllim për të kriminalizuar, qoftë shpifjen apo në këtë rast - dezinformimin, ne besojmë se përfundimisht mund të çojë në më shumë kufizime ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së mediave", thotë Gulnoza Said, e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Një aspekt tjetër i ligjit të propozuar që hasi në kundërshtime ishte klasifikimi i gazetarëve në tre kategori: shpërndarësit e informacionit, gazetarët dhe gazetarët profesionistë.

Por vetëm anëtarët e shoqatës profesionale të gazetarëve, e cila qeveriset nga rregullat shtetërore, mund të konsiderohen "gazetarë profesionistë" duke u mundësuar atyre të mbulojnë aktivitetet e qeverisë.

"Kurdoherë që shohim përpjekjen e qeverisë për të thënë 'ky është një gazetar, ky tjetri është gazetar, dhe ky është thjesht një bloger ose thjesht një komentues’, atëherë shohim se si diskriminohen disa kategori, se si iu kufizohet puna e tyre", thotë zonja Said.

Në mars, ukrainasit do të kenë një shans për të marrë pjesë në një diskutim publik të këtij legjislacioni. Dhe autorët e ligjit thonë se ata janë të hapur për sugjerime.

Në kuadër të këtij diskutimi ne do të trajtojmë pikat ku ka mosmarrëveshje, çështjet që nuk janë të pranueshme për komunitetin e mediave. Ne do të ndryshojmë projektligjin, duke marrë parasysh këto pika. Por është detyra jonë që ta fillojmë këtë bisedë në mënyrë që të mbrojmë hapësirën tonë të informacionit”, thotë Anatoliy Maksymchuk, Zëvendësministri i parë i Kulturës.

Projekt-ligji është planifikuar të futet në parlament në muajin mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG