Lidhje

Rusia demonstron ushtrinë e saj moderne


Rreth 40 mijë trupa ruse janë dislokuar në kufirin ukrainas, gati për të pushtuar në qoftë se vjen urdhëri nga Moska. Sipas vlerësimeve perëndimore Ministria ruse e Mbrojtjes ka mes 800 mijë dhe një milion burra të armatosur. Këtu përfshihen forcat strategjike të raketave dhe shërbime të ndryshme ushtarake si forcat ajrore, mbrojtja ajrore, forcat tokësore dhe ato detare. Në këtë përbërje ka lloje të ndryshme të forcave speciale, si forcat speciale Spetsnaz që janë pjesë e kundërzbulimit ushtarak apo GRU.

Stephen Blank, një ekspert i ushtrisë ruse në Këshillin Amerikan për Politikë të Jashtme, thotë se në përberjen e ushtrisë ruse ka edhe forca paraushtarake.

"Forcat e tjera i takojnë ministrive të tjera përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Federal të Sigurimit. Pastaj ka trupa kufitare dhe formacione paraushtarake si ato të kozakëve. Pra, ka një numër të madh njerëzish të përfshirë në ushtri, ndoshta rreth një milion njerëz në forcat e rregullta të armatosura dhe disa qindra mijëra trupa të tjera ndihmëse që janë pjesë e Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Federal të Sigurimit, formacionit paraushtarak kozak dhe të tjerë".

Ian Brzezinski, analist në Këshillin e Atlantikut, thotë se qeveria ruse po shpenzon shumë para për modernizimin e forcave të saj të armatosura.

"Rusia do të shpenzojë 750 miliardë dollarë nga tani deri në dekadën e ardhshme për të modernizuar flotën e saj detare, forcat ajrore dhe për të sofistikuar sistemin e mbrojtjes nga raketat. Ata vazhdojnë të bëjnë prova për të zhvilluar aftësitë e raketave balistike dhe po vazhdojnë modernizimin e forcave të tyre tokësore".

Zoti Brzezinski dhe analistë të tjerët thonë se përpjekjet e Rusisë për të modernizuar ushtrinë e saj u nxitën nga paraqitja e dobët forcave ruse në luftën pesë ditore të vitit 2008 me Gjeorgjinë rreth dy rajoneve separatiste në këtë vend.

"Ju mund të kujtoni imazhet e ushtarëve të dehur rusë që përpiqeshin të arrinin në vijën e frontit. Rusët kishin pak vështirësi kundër gjeorgjianëve, të cilët nuk bënë një përpjekje të fortë për t’u mbrojtur, dhe rusët ishin në gjendje të përparonin thjesht për shkak të numrit masiv të trupave dhe pajisjeve ushtarake e jo për shkak të aftësive të trupave të tyre".

Ekspertët thonë se reforma kishte për qëllim të mobilizonte ushtrinë ruse dhe ta furnizonte me pajisje më të mira për reagime të shpejta dhe për konfliktet lokale, në vend të krijimit të një ushtrie masive të stilit sovjetik.

Keir Giles, kreu i Qendrës për Studimimin e Konflikteve në Oksford, të Britanisë së Madhe, thotë se gjatë luftës gjeorgjiane, koordinimi në mes të degëve të ndryshme të forcave të armatosura ishte një problem për rusët.

"Për shembull, ata nuk kishin një sistem të mirë komunikimi mes njesive tokësore dhe atyre ajrore. Pra, disa nga humbjet ajrore që ata pësuan në luftën me Gjeorgjinë ishin shkaktuar nga vetë ushtria ruse".

Ian Brzezinski thotë se rezultatet e reformave u panë gjatë aneksimit të të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në mars.

"Shikoni operacionet e tyre në Krime, ku 20 deri 30 mijë trupa ruse vërshuan në mbarë gadishullin. Ushtarët ishin të veshur me uniforma të reja, pajisje të mirë-mbajtura, disiplinë të lartë dhe disiplinë në komunikim. Ata janë me siguri shumë më të aftë se sa gjashtë vjet më parë".

Stephen Blank i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme e vlerëson në këtë mënyrë përparimin e ushtrisë ruse.

"Tani përdorimi i këtyre forcave bëhet në mënyrë jashtëzakonisht të disiplinuar, të shpejtë, në koordinim me luftën informative kundër Ukrainës, duke e vërshuar Krimenë dhe Ukrainën lindore me propagandë ruse, dhe duke dislokuar forca të trajnuara mirë me pajisje moderne në drejtimet strategjike perëndimore, për të trembur dhe bllokuar NATO-n dhe forcat e armatosura të Ukrainës".

Zoti Blank thotë se anëtarë të udhëheqjes ushtarake të Rusisë besojnë se fundi i Luftës së Ftohtë ishte një operacion i posaçëm amerikan për të mposhtur Bashkimin Sovjetik pa luftë, i cili ishte i suksesshëm. Ai thotë se ushtria ruse u përpoq të bënte të njëjtën gjë në Krime dhe e bëri me sukses.
XS
SM
MD
LG