Lidhje

9 ushtarë të vrarë nga luftimet në Ukrainë


Një zëdhënës i ushtrisë së Ukrainës tha se 9 ushtarë janë vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur që nga dje, në luftimet në lindje të Ukrainës.

Sipas zëdhënësit Vladislav Seleznyov luftimet më intensive janë zhvilluar në afërsi të qytetit strategjik Debaltseve, në verilindje të Sonetsut që është në duart e rebelëve.

Parlamenti i Ukrainës miratoi një deklaratë ku e cilëson Rusinë një "shtet agresor", ndërkohë që udhëheqësit e Bashkimit Evropian kërcënuan se do të zgjerojnë sanksionet kundër Moskës për shkak të mbështetjes së saj për separatistët në Ukrainën lindore.

Ligjvënësit ukrainas votuan gjithashtu për t'i quajtur "organizata terroriste" të ashtuquajturat "republika popullore" të separatistëve që mbështeten nga Rusia në Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës lindore. Ata i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të japë ndihmë ushtarake shtesë dhe të forcojë sanksionet kundër Rusisë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Grigory Karsin tha se votimi për cilësimin e Rusisë si "shtet agresor" është "absolutisht i papërgjegjshëm" dhe synon bllokimin e lëvizjes drejt "një kompromisi tepër të nevojshëm në Ukrainë."

Ndërkohë, zëvendës sekretari i OKB-së, për Çështjet Politike Jeffrey Feltman tha dje se bombardimi i të shtunës ndaj qytetit port të Mariupolit, i cili mbahet nga forcat qeveritare, përbën shkelje të ligjeve humanitare. Sipas zyrtarit të OKB-së, bombardimi erdhi nga zonat e mbajtura nga rebelët dhe qëllimisht u drejtua ndaj popullsisë civile.

XS
SM
MD
LG