Lidhje

Ukraina nënshkruan marrëveshjen e tregtisë me BE


Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko thotë se vendi i tij ka paguar "çmimin më të lartë të mundshëm" për të arritur qëllimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian. Ai e nënshkroi marrëveshjen sot gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.

Marrëveshja e tregtisë me BE-në ishte në qendër të protestave politike që çuan në largimin e ish-Presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç disa muaj më parë dhe që u pasua me aneksimin nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë. Konflikti u shndërrua në vdekjeprurës pas përleshjeve mes ushtarëve të Ukrainës dhe separatistëve pro-Rusisë në lindje të vendit.

Presidenti ukrainas Poroshenko e cilësoi marrëveshjen e arritur sot si të paguar me "çmimin më të lartë të mundshëm" nga Ukraina:

"Sigurisht të gjithë do të kishim dashur që marrëveshja të ishte nënshkruar në rrethana të ndryshme shumë më të rehatshme. Por agresioni i jashtëm me të cilin përballet Ukraina na jep një tjetër arsye të fortë për këtë hap të rëndësishëm. Duke nënshkruar këtë marrëveshje, Ukraina pranon angazhime të mëdha për reforma," tha Presidenti i Ukrainës.

Presidenti Poroshenko e quajti nënshkrimin "historik", pavarësisht reagimit negativ të Moskës. Zëvendës ministri i Jashtëm i Rusisë tha se ky hap i Ukrainës është "plot me pasoja të rënda."

Me përfundimin e parashikuar për sot të një armëpushimi zyrtar në Ukrainë, dëshmitarët thanë se mijëra ukrainas ishin rreshtuar mbrëmë vonë në një kalim kufitar me Rusinë, me makinat e tyre të mbushura me objekte personale, me shpresën për t’iu larguar dhunës në Ukrainën lindore.

XS
SM
MD
LG