Parlamenti i Ukrainës ka miratuar ligjin për krijimin e një gjykate kundër korrupsionit, në një përpjekje për të përmbushur kriteret për të marrë 17.5 miliardë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Para se FMN-ja të japë fondet e nevojshme për të mbështetur ekonominë e Ukrainës, ajo dëshiron të sigurohet që ligjet e gjykatës të jenë në pajtim me rregullat e FMN-së.
Presidenti Petro Poroshenko falënderoi ligjvënësit për veprimin e tyre, duke thënë se gjykata e re ishte në përputhje me rekomandimet e Perëndimit dhe me ligjet e Ukrainës.
"Votimi i sotëm për krijimin e një gjykate kundër korrupsionit është një provë e kaluar me sukses për të gjithë ne këtu në parlament, sepse sot ne po bëjmë veprimet e fundit për krijimin e strukturave të efektshme dhe transparente të anti-korrupsionit".
Vitin e kaluar Poroshenko kundërshtoi krijimin e një gjykate anti-korrupsioni, duke thënë se institucionet e këtij lloji janë të nevojshme në vende si "Kenia, Uganda, Malajzia dhe Kroacia", por jo në Evropën Perëndimore, apo në Shtetet e Bashkuara.
Ukraina po vuan nga pasojat e konfliktit mes forcave qeveritare dhe seperatistëve pro-rusë në lindje të vendit dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia. Në konfliktin që filloi në vitin 2014 u vranë mijëra njerëz.
Facebook Forum