Lidhje

Ukrainë: Presidenti i ri bën betimin, shpërndan parlamentin


Volodymyr Zelenskiy bëri betimin të hënën si presidenti i ri i Ukrainës dhe menjëherë shpërndau parlamentin, që ai e karakterizoi si një grup individësh që duan vetëm të pasurohen për vete.

Pak para se ta shpërndante parlamentin, ai i kërkoi të miratonte një ligj kundër pasurimit të paligjshëm të ligjvënësve dhe të mbështeste mocionet e tij për të shkarkuar Ministrin e Mbrojtjes të vendit, kreun e Shërbimit ukrainas të Sigurisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm, të gjithë aleatë të ish-presidentit Petro Poroshenko.

Zgjedhjet e parakohëshme do të mbahen pas dy muajsh dhe mund të shtojnë numrin e vendeve për përkrahësit e tij në parlament, që do t’ia bënin të mundur miratimin e politikave të tij.

Në fjalimin e tij pas inaugurimit, ai tha se objektivi i tij kryesor ishte të arrinte një armëpushim në Ukrainën lindore, ku trupat qeveritare luftojnë prej pesë vjetësh me separatistët e mbështetur nga Rusia, një konflikt që ka shkaktuar vdekjen e rreth 13 mijë vetëve.

Zoti Zelenskiy ka premtuar se do të vazhdojë në rrugën pro-perëndimore të Ukrainës, por përtej kësaj, programi i tij politik nuk ka marrë ende formë.

Komediani 41 vjeçar dhe ylli i televizionit fitoi 73 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar dhe u bë presidenti më i ri i Ukrainës, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG