Lidhje

Ashpërsohen tensionet mes Kievit dhe Moskës


Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko nënshkroi të hënën një dekret për shpallur ligjin e luftës, pas shkallëzimit të fundit të tensioneve mes vendit të tij the Rusisë, por ai nuk hyn në fuqi pa miratimin e parlamentit. Ukraina kërkon lirimin e menjëhershëm të marinarëve dhe anijeve ukrainase, që Rusia kapi në Detin e Zi të dielën. Ndërsa Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e akuzoi Ukrainën se po shkel normat ndërkombëtare. Ndërkohë NATO-ja po mban një takim urgjent për këtë çështje në selinë e saj në Bruksel.

Rusia hapi zjarr ndaj dy anijeve të marinës ukrainase dhe goditi një tjetër dhe i kapi të treja anijet, me pretendimin se ato hynë në mënyrë të paligjshme në ujërat e saj territoriale. Zyrtarët ukrainas thanë se të paktën gjashtë marinarë të saj janë plagosur dhe mohuan pretendimet e Rusisë duke e akuzuar atë për përfshirje në agresion ushtarak.

Presidenti ukrainas Poroshenko sqaroi që para firmosjes së dekretit, arsyet për ndërmarrjen e hapit të paraqitjes së ligjit të luftës.

"Për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës mes agresionit në rritje dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, në përgjigje të një akti të ftohtë agresioni nga Federata Ruse. Ligji i luftës nuk do të thotë se ne jemi kundër mjeteve politike dhe diplomatike për zgjidhjen e çështjes së çlirimit të Ukrainëss. Ne synojmë të vazhdojmë të respektojmë të gjitha detyrimet ndërkombëtare”, tha Presidenti Poroshenko.

Rusia ndërkohë shpërfilli thirrjet perëndimore për të liruar tre anijet ukrainase. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov akuzoi Ukrainën se po provokon, duke shkelur parimet kyçe të ligjit ndërkombëtar.

“Ka shkelje të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Ukrainë, edhe pa ligjin e luftës: bombardime të zonave të banuara dhe infrastrukturës sociale, vrasje të civilëve. Dhe me shpalljen e ligjit të luftës mendoj se këta radikalë nacionalistë do të ndjehen krejtësisht të lirë të veprojnë. U bëjmë thirrje mbështetësve perëndimorë të Kievit, të qetësojnë ata që po përpiqen të sigurojnë avantazhe politike nga histeria ushtarake për shkak të zgjedhjeve që po afrohen apo ngjarjeve të tjera në vend”, tha ai.

Përveç takimit të NATO-s në Bruksel, një takim emergjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbahet të hënën për të diskutuar për gjendjen, në një përpjekje për të shmangur shkallëzimin. Edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje.

Incidenti i së dielës filloi kur një rimorkiator ukrainas po shoqëronte dy anije të marinës nga porti i Odesas në Detin e Zi për në portin ukrainas në Mariupol, në Detin Azov nëpërmjet ngushticës Kerç.

Ngushtica Kerç, është kalimi i vetëm ndërmjet dy deteve.

Një traktat i viti 2003, i përcakton Detin Azov dhe ngushticën Kerç, si ujëra të përbashkëta territoriale.

Rusia tha se anijet ukrainase shkelën në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Ukrainës se nuk e ka informuar që anijet po planifikonin të lundronin nëpërmjet ngushticës – pohime këto që u hodhën poshtë nga Ukraina.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nxiti një konflikt separatist pro-rus në Ukrainën lindore në vitin 2014.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG