Lidhje

Forcat e çrregullta ushtarake në Ukrainë


Pas referendumit të tyre të debatueshëm mbi shkëputjen nga vendi, udhëheqësit separatistë të rajoneve lindore të Ukrainës thonë se do të formojnë ushtrinë e tyre, duke shtuar kështu numrin e forcave të çrregullta që shfaqen nëpër rajon. Korespondentja e Zërit të Amerikës Jamie Dettmer raporton nga qyteti i Donetskut.

Banorët e qytetit të vogël Krasnoarmeysk, kishin diçka tjetër në mendje të dielën kur 70 kilometra në jug të tyre udhëheqësit separatistë në Donetsk shpallën çuditërisht herët rezultatin e referendumit, në mbështetje të shkëputjes nga Ukraina.
Ata sapo ishin takuar me forca të çrregullta ushtarake të cilët pretendonin se ishin nga batalioni Dnipr, një forcë vetëmbrojtëse pro-bashkimit e organizuar në një qytet afër nga një oligark i cili ofron para për çdo udhëheqës separatist të vrarë.

Sergei, një banor vendas, thotë se ai nxitoi në bashkinë e qytetit ku ishte organizuar votimi dhe pa një person në tokë të vrarë.

Banorë të tjerë lokalë të tronditur të cilët biseduan me Zërin e Amerikës thanë se 40 persona të armatosur me maska erdhën me nxitim në qytet dhe urdhëruan që të mbyllen vendet e votimit dhe pasi shkëmbyen fjalë me një turmë të zemëruar, filluan të qëllojnë. Një polic konfirmoi se dy njerëz kishin vdekur.

Sergei është i pezmatuar, duke thënë se ai mbështet një Ukrainë të bashkuar, por nuk duhet të ketë rëndësi nëse rajoni i përket Ukrainës, Rusisë, ose nëse do të jetë pjesë e Evropës apo jo. Ai thjeshtë dëshiron të ketë një jetë më të mirë dhe një rrogë të mirë.

Edhe para referendumit të diskutueshëm të së dielës, për të cilin ka patur akuza për mashtime mbushje të kutive të votimit dhe votim të shumëfishtë, ishte e vështirë për njerëzit të qëndronin asnjanës.

Kërcënimet separatiste, rrëmbimet dhe vrasja e kundërshtarëve nga njëra anë, dhe bastisjet ndëshkuese nga ana tjetër po detyrojnë njerëzit të zgjedhin mes palëve edhe kur ata nuk dëshirojnë të përfshihen në konflikt.

Dhe ka gjasa që vijat e betejave të bëhen edhe më të ashpra. Pas referendumit të së dielës, i cili është dënuar si një “farsë kriminale” nga qeveria në Kiev, por i pranuar si legjitim nga Moska, udhëheqësit separatistë në Donetsk thonë se ata do të formojnë ushtrinë e tyre dhe presin që çdo forcë që ka lidhje me Kievin të largohet nga rajoni.
Qeveria tashmë është ndeshur me vështirësi me fushatën e saj ushtarake anti-separatiste dhe nuk ka njerëz të mjaftueshëm për të. Analistët thonë se ata janë të shqetësuar se qeveria ka të ngjarë të mbështetet në forcat e çrregullta ushtarake më shumë dhe se luftimet mund të përhapen përtej rajoneve – Donetsk dhe Luhansk – që votuan të dielën.

Udhëheqësi separatist nga qyteti i Luhanskut Valery Bolotov, një ish- ushtar parashutist, thotë se tani që mbaruan referendumet e tyre, forcat e tij pro-ruse, si dhe separatistët nga Donetsku, do të fillojë ta kthejnë vëmendjen e tyre nga vende të tjera për t’i ndihmuar në shkëputjen nga Ukraina.

Ai thotë se separatistët nuk do të hyjnë në bisedime me Kievin dhe se negociatat e vetme aktuale janë ato rreth shkëmbimeve të të burgosurve dhe pengjeve.
Ukraina duket se është bërë gati për më shumë luftime, duke rritur perspektivën e një ndërhyrjeje ruse.
XS
SM
MD
LG