Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton mbi situatën në Ukrainë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbrëmë zhvilloi takimin e pestë në 10 ditë mbi zhvillimet në Ukrainë, ndërkohë që vazhdojnë të rriten shqetësimet ndërkombëtare se Rusia është gjithnjë e më afër aneksimit të rajonit të Krimesë në Ukrainë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në OKB, Margaret Besheer njofton se Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës mund të shkojë në Nju Jork këtë javë për të kërkuar mbështetjen e OKB-së përpara referendumit të së dielës në Krime.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti në një takim me dyer të mbyllura dhe u informua mbi zhvillimet në Ukrainë nga shefi i OKB-së për çështjet politike Jeffrey Feltman dhe Ambasadori i Ukrainës në OKB Yuriy Sergeyev.

Presidentja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadorja e Luksemburgut Sylvie Lucas, u tha gazetarëve pas seancës se shumë anëtarë të Këshillit përsëritën nevojën për uljen e tensioneve dhe bëri thirrje për respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Ukrainës.

Ajo tha se një numër i anëtarëve të Këshillit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së thanë se vendimi i Këshillit të Lartë të Krimesë për të mbajtur një referendum për shkëputje nga Ukraina këtë të dielë shkel kushtetutën e vendit dhe është i paligjshëm.

Ambasadori i Francës në OKB, Gerard Araud, paralajmëroi se situata është duke u përkeqësuar nga dita në ditë.

"Ushtria ruse është duke përforcuar praninë e saj në Krime. Ushtria ruse tani është duke rrethuar dhe pushtuar bazat e ushtrisë ukrainase. Kanalet televizive ukrainase janë ndërprerë. Dhe tani në fakt Rusia po organizon një referendum atje."

Ai i bëri thirrje Moskës që të hyjë në negociata, duke thënë se aneksimi i Krimesë nga Rusia do të ishte "jashtëzakonisht serioz" dhe do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ambasadori britanik Mark Lyall Grant tha se Rusia është duke u izoluar gjithnjë e më shumë. Ai i bëri thirrje Moskës të tërheqë trupat e saj dhe të lejojë vëzhguesit ndërkombëtarë në Krime.

"Në kohën kur Rusia pretendon të jetë e shqetësuar në lidhje me kërcënimet ndaj popullatës rusisht folëse në Ukrainë dhe të tjerët në Krime, ata në fakt nuk po lejojnë hyrjen e asnjë vëzhguesi ndërkombëtarë, puna e të cilëve është pikërisht raportimi mbi situatën në atë rajon".

Ai tha se shefi politik i OKB-së Jeffrey Feltman dhe vëzhguesë të tjerë të cilët kanë hyrë në Krime thonë se nuk kanë parë asnjë kërcënim të veçantë ndaj popullatës rusisht folëse, dhe se tensionet janë të larta për shkak të veprimeve ushtarake të Rusisë.

Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, i mbështetur nga perëndimi, Arseniy Yatsenyuk këtë javë do të vizitojë Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të marrë përkrahje për qeverinë e tij dhe për rivendosjen e Krimesë nën kontrollin e Kievit. Ai nesër pritet të takohet me Presidentin Barak Obama dhe të enjten ose të premten do të zhvillojë taikme në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki - moon ka shprehur shqetësimin e tij për situatën, duke thënë se ngjarjet në Krime kanë thelluar krizën. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga "veprimet e nxituara dhe retorika provokuese."

Zoti Ban javën e kaluar dërgoi në Kiev kreun e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Ivan Simonoviç. Zoti Simonoviç ka zhvilluar takime me palë të ndryshme dhe pritet të udhëtojë në Krime. Një tjetër diplomat i OKB-së, Robert Serri, u kërcënua nga njerëz të armatosur në Krime javën e kaluar dhe u detyrua të largohej nga rajoni.
XS
SM
MD
LG