Lidhje

Agjencia e OKB-së për Refugjatët tërheq vemendjen për gjendjen në Siri


UNHCR thotë se gati 2000 deri në 3000 njerëz kalojnë kufirin çdo ditë dhe se numri i refugjatëve është rritur më shumë se 600% që nga marsi

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se gati 700 mijë sirianë mund të largohen nga vendi i rrënuar nga lufta deri në fund të vitit.

UNHCR ka lëshuar sot një apel për afro 500 milionë dollarë për të ndihmuar numrin në rritje të refugjatëve që po iknin në Jordani, Liban, Irak dhe Turqi.

Organizata thotë se gati 2 mijë deri në 3 mijë njerëz kalojnë kufirin çdo ditë, dhe se numri i refugjatëve të regjistruar dhe atyre që presin të regjistrohen është rritur më shumë se 600 për qind që nga marsi.

Thirrja për ndihmë vjen pasi një grup sirian i të drejtave tha se dje ishte dita më e përgjakshme që kur filloi konflikti 18-mujor në Siri.

Vëzhguesit sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se më shumë se 300 njerëz - shumica civilë - u vranë të mërkurën në Siri.

Rebelët sirianë shpërthyen dy bomba vetëvrasëse në makina në selinë e presidentit Bashar al-Asad dje në Damask, duke vrarë katër roje të sigurisë dhe duke shkaktuar përleshje me armë në të cilën u vra edhe një gazetar iranian.

Relevizioni shtetëror sirian tregoi pamjet jashtë kompleksit ushtarak dhe vendin e shpërthimeve brenda kompleksit. Grupi sirian Observatori për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se pas shpërthimit të dytë, luftëtarët rebelë dhe forcat qeveritare shkëmbyen zjarr për më shumë se tri orë.

Televizioni shtetëror sirian njoftoi se katër rojet të ushtrisë u vranë dhe 14 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë civilë dhe pjestarë të personelit ushtarak. Televizioni i Iranit tha se një nga korrespondentët e saj u vra nga zjarri snajper ndërsa shefi i byrosë lajmeve në Damask për një tjetër agjenci shtetërore lajmesh u plagos në shpërthime.

Për këtë sulm, ministri sirian i informacionit Omran Zoubi fajësoi terroristët, siç i quan qeveria rebelët që kundërshtojnë z Assad.
XS
SM
MD
LG