Lidhje

Pheniani dënon sanksionet e reja të OKB-së

  • Margaret Besheer

Koreja e Veriut kritikoi ashpër të martën vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vendosur sanksione të reja të ashpra kundër vendit të Azisë lindore dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të përjetonin "dhimbjen më të madhe" për rolin e tyre udhëheqës në këto përpjekje.

"Delegacioni im dënon në terma më të fuqishme dhe kundërshton kategorikisht rezolutën e fundit të Këshillit të Sigurimit si të paligjshme", tha ambasadori i Koresë së Veriut Han Tae Song në një konferencë të çarmatimit të sponsorizuar nga OKB-ja në Gjenevë.

Koreja e Veriut, tha Han pa dhënë hollësi, është gati të "përdorë një mjet të teknikës së fundit". Koreja e Veriut kishte paralajmëruar para sanksioneve të fundit se SHBA do të paguanin "çmimin e duhur" në qoftë se kërkonin sanksione më të forta.

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën se sanksionet e reja janë “një hap tjetër i vogël” dhe “i papërfillshëm në krahasim me atë që duhet të ndodh” me Korenë e Veriut.

Në Azi reagimet kanë qënë pozitive lidhur me një seri sanksionesh të reja ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut, ndërsa shumë analistë janë skeptikë nëse ato do të kenë ndonjë ndikim të rëndësishëm. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një seri sanksionesh të rrepta ekonomike kundër Koresë së Veriut si reagim ndaj provës së tretë bërthamore të Phenianit me atë që duket të jetë bombë me hidrogjen.

Dispozitat në rezolutë do të shkurtojnë në mënyrë drastike aftësitë e Phenianit për të financuar programet e tij me raketa ndërkontinentale dhe bërthamore.

Ambasadorja amerikane Nikki Haley i tha Këshillit të Sigurimit se bota kurrë nuk do ta pranojë që Koreja e Veriut të ketë armë bërthamore.

“Ne nuk ndjejmë kënaqësi në forcimin e mëtejshëm të sanksioneve. Nuk kërkojmë luftë. Regjimi i Koresë së Veriut ende s’e ka kaluar pikën pa kthim. Nëse pranon të ndalë programin bërthamor, Pheniani mund të korrigjojë të ardhmen. Nëse tregon se mund të jetojë në paqe, bota do të jetojë në paqe me të.”

Një javë më parë, ambasadorja Haley dërgoi një mesazh krejt ndryshe kur Këshilli i Sigurimit u mblodh pas provës bërthamore të Phenianit, duke paralajmëruar se udhëheqësi Kim Jong Un po “lutet për luftë” dhe duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë durim të pakufizuar.

Përpara kësaj, Koreja e Veriut paralajmëroi të hënën se Shtetet e Bashkuara do të pagujanë “një çmim të rëndë” nëse Këshilli i Sigurimit miraton sanksione të reja kundër Pehnianit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG