Lidhje

Daçiç, Thaçi, shprehin pikëpamjet në Këshillin e Sigurimit


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehën sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pikëpamjet e tyre për bisedimet që po zhvillohen mes dy palëve në Bruksel. Ndërkohë, Rosemary DiCarlo, zëvendës ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, tha se dy palët janë pranë arritjes së një marrëveshjeje.

Në diskutimin e tij, Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendi i tij është gati për dialog, por nuk është gati për t’u poshtëruar dhe nuk është i gatshëm të pranojë standarde të dyfishta, Ai tha se Beogradi nuk do të dorëzojë sovranitetin dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës është e papranueshme. Zoti Daçiç tha se zgjidhja e situatës kërkon kompromise si nga pala shqiptare, ashtu edhe serbe.

Pjesëmarrja në takimet e Brukselit, tha kryeministri serb, vërteton se Serbia është e gatshme dhe e angazhuar për masa që forcojnë besimin e ndërsjelltë. Synimi përfundimtar në këto bisedime është gjetja e një zgjidhjeje të përhershme që do të sjellë paqe dhe që të jetë e pranueshme nga të dyja palët.

Kryeministri Daçiç tha se qeveria e tij është e vendosur të punojë për një zgjidhje, por kërkon nga Prishtina që të tregojë vulletin e nevojshëm politik, gatishmërinë dhe kurajon që kërkon gjetja e një kompromisi.

Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi foli për sfidën kryesore të vendit të tij: integrimi i plotë dhe funksional i veriut në shtetin e Kosovës.

Ai tha se strukturat paralele qëndrojnë pas akteve kriminale për të trembur popullatën vendase. Kjo situatë përbën një kërcënim serioz për tërë sigurinë në rajon, u shpreh kryeministri Thaçi, duke bërë thirrje për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi. Ai fajësoi Serbinë për luajtjen e një roli jokonstruktiv, përmes mbështetjes që u jep strukturave paralele.

Duke folur per bisedimet me Serbinë, zoti Thaçi tha se suksesi në këtë proces rezulton vetëm në fitues për të dyja palët. Ai i bëri thirrje Beogradit ta shfrytëzojë këtë moment për t’u treguar më i arsyeshëm në qëndrimin e tij në bisedime. Ai theksoi se tema si sovraniteti, statusi apo integritetin territorial të Kosovës, janë të paprekshme në bisedime.

Kyeministri Thaçi tha se raundet e bisedimeve kanë sjellë arritje të konsiderueshme që janë shpresë për rezultatin përfundimtar. Por ai shprehu keqardhje për kërkesën serbe për një autonomi territoriale, duke e cilësuar si një pengesë strukturale për paqe dhe pajtim etnik si dhe qeverisje efektive. Çdo tendencë për ri-hartimin e kufijve do të përshkallëzojnë tensionet tha zoti Thaçi.

Ndërkohë, zëvendësja e misionit amerikan në OKB, Rozmari Dikarlo, u shpreh se shenjat e deritanishme tregojnë se palët në bisedime janë pranë një marrëveshjeje dhe ajo bëri thirrje për daljen me kompromis në takimin e 2 prillit.
XS
SM
MD
LG