Lidhje

Përkujdesja e urave të Hungarisë


Rreth 80 milion njerëz jetojnë përgjatë lumit Danub, dhe urat janë një lidhje e rëndësishme për ata që jetojnë në të dyja anët e lumit. Një familje në Budapest është përkujdesur për një nga urat, brez pas brezi.

Janë tetë ura mbi lumin Danub në kryeqytetin hungarez që lidhin Budën dhe Pestin. Çdo urë ka stil dhe karakteristika të ndryshme. Ato janë një pjesë e rëndësishme e rrjetit të transportit të Budapestit dhe gjithashtu shumë të frekuentuara nga turistët. Më e vjetra është Ura e Zinxhirit, e cila ishte ura e parë e përhershme ndërmjet qyteteve të Pestit dhe Budës, dhe e dyta përgjatë lumit Danub.

Ura u përfundua në vitin 1849 nën mbikqyrjen e arkitektit britanik Adam Clark. E pëlqyer si nga vendasit, ashtu edhe nga turistët, Ura e Zinxhirit është krenaria e Budapestit. Por shumë vizitorë nuk e kuptojnë se për çdo urë në Budapest përkujdeset një familje që i kushton gjithë jetën e tyre për të ruajtur strukturën.

Janos Fazekas përkujdeset për Urën e Zinxhirit. Ai është brezi i tretë nga familja e tij që kujdeset për të. Edhe albumet e tyre familjare tregojnë rreth trashëgimisë së pasur:

“Ky është gjyshi im, i cili kujdesej për Urën Margit. Dhe ky është babai im që u kujdes për urën nga viti 1964 deri më 2004. Ky është vëllai i tij, Imre, i cili kujdeset për Urën Margit. Dhe së fundmi unë jam këtu, duke treguar luanët prej guri të urës”, thotë Janosi.

Ura ka një domethënie të madhe për Janosin. Ai braktisi një karrierë të suksesshme si kitarist dhe animator për të zëvendësuar babanë e tij si mirë-mbajtësi i urës. Ai e pëlqen shumë Urën e Zinxhirit, me përmasat dhe bukurinë e saj. Janosi thotë se ura të tjera janë krijuar për transport, por kjo është krijuar për poezi.

“Trashëgimia e babait tim ishte një nga urat më të bukura në botë. E kam admiruar këtë urë që kur isha fëmijë, dhe e kam vizatuar shpesh, ia njoh të gjitha detajet. Babai im më mësoi se cilat pjesëve duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi, si të kontrollohen disa prej tyre, dhe se si të ngjitem dhe të zbres nga vende të caktuara.”

Familja Fazekas ka qenë gjithmonë pranë lumit – stërgjyshi i tij ishte marinar në Danub, dhe gjyshi i tij ka lindur pranë brigjeve të lumit. Gjatë Luftës së II-të Botërore, trupat gjermane hodhën në erë urat në Budapest për të ngadalësuar avancimin e Armatës Sovjetike të Kuqe. Pas luftës, gjyshi i Janosit ndihmoi me rindërtimin e urës, dhe si rezultat i kësaj, u bë mjeshtër i Urës Margit. Ai doli në pension dhe hoqi dorë nga detyrat e urës kur ishte 93 vjeç, dhe pastaj atë detyrë e mori përsipër djali i tij.

Puna e përkujdesjes së urës kërkon më shumë se qëndrimi në një zyrë me pamje të bukur. Mirë-mbajtësi i urës duhet të sigurohet se çdo gjë është në rregull për të shmangur aksidentet. Çdo disa muaj, Janosi punon me inxhinierë strukturorë për të bërë kontrolle në urë.

Tani ditët e tij në këtë punë janë të numëruara, dhe ai duhet t’ia dorëzojë përgjegjësitë brezit të ri. Ai shpresonte që punën ta merrte përsipër djali i tij, për të mbajtur traditën në familje. Por djali i tij është larguar nga qyteti për t’u bërë muzikant roku. Dhe ëndrrat e Janosit për gjeneratën e ardhshme po veniten.
XS
SM
MD
LG