Uragani Laura preku tokën sot në mëngjes në Luizianën jugperëndimore, një prej stuhive më të fuqishme që godet këtë shtet amerikan, duke shkatërruar ndërtesa dhe duke shkaktuar vdekjen e një vajze 14-vjeçare në qytetin Lisvil.
Një zëdhënëse e guvernatorit të Luizianës tha se pritet që të ketë edhe viktima të tjera.
Një uzinë kimike mori zjarr të enjten në mëngjes në Uestlejk të Luizianës dhe shtëllungat e mëdha të tymit dukeshin prej së largu.
Autostradat ishin bllokuar nga trafiku dhe autoritetet i këshilluan njerëzit të qëndronin brenda në pritje të udhëzimeve të reja.
Në Lejk Çarls, erërat e fuqishme thyen xhamat e ndërtesës 22 katëshe Capital One Tower dhe morën me vete shenjat e trafikut rrugor. Mbeturinat e gardheve dhe dërrasat e ndërtesave të shkatërruara mbushën rrugët e përmbytura nga uji.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se stuhia mund të shoqërohet me dallgë të larta sa një shtëpi dykatëshe, duke përbërë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e njerëzve.
Uragani preku fillimisht bregdetin në qytetin e vogël Cameron rreth orës 1 të mëngjesit si stuhi e Kategorisë 4, në klasifikimin prej 5 shkallësh.
Përveç kërcënimit për jetën e njerëzve, stuhia po përparon drejt zemrës së industrisë amerikane të naftës, duke i detyruar platformat e naftës dhe rafineritë në rajon të ndalin punën.
Zyrtarët në zonën e goditur rëndë thanë se do të duheshin disa orë para se të mund të fillonin operacionet e kërkim-shpëtimit.
Rreth 620,000 persona kanë marrë urdhra për evakuim të detyrueshëm në shtetet Luiziana dhe Teksas, por zyrtarët pohojnë se shumë njerëz zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi në raste të tilla.
Edhe pse uragani është ulur në një stuhi të kategorisë së dytë, ekspertët e motit thonë se ai ende mbetet i rrezikshëm për jetën e njerëzve.
Facebook Forum