Lidhje

Studim: ritmet e lindjeve në SHBA, më të ultat në 30 vjet


Foshnje të porsalindura në një maternitet të Nju Jorkut
Foshnje të porsalindura në një maternitet të Nju Jorkut

Sipas një raporti qeveritar, ritmi i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ra gjatë vitit të kaluar për gratë e moshave 20 dhe 30 vjeçare. Ky është niveli më i ulët i lindjeve në 30 vitet e fundit.

Ekspertët thonë se në pakësimin e numrit të lindjeve mund të kenë ndikuar disa faktorë, si psh ndryshimi i qëndrimit për t'u bërë nënë dhe i rregullave të imigracionit.

Sipas raportit të bazuar tek një studim, ku u përfshinë më tepër se 99 për qind të çertifikatave të lindjes në mbarë vendin, vitin e kaluar pati 3.853 milionë lindje. Ky është numri më i vogël që nga viti 1987.

Numri i lindjeve ka rënë që nga viti 2014, por 2017-a shënoi rënien më të madhe nga një vit në tjetrin, rreth 92,000 më pak lindje se një vit më parë.

Kjo ishte një gjetje e që i ka çuditur studjuesit, pasi zakonisht lindjet shtohen kur ekonomia lulëzon. Vitin e kaluar papunësia ra ndjeshëm dhe ekonomia amerikane shënoi rritje.

Cili është shkaku?

Ekspertët thonë se ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek lindjet.

Një prej tyre mund të jetë ndryshimi i qëndrimit ndaj të qënit nënë në brezin e mijëvjeçarit të tanishëm, që tani janë në moshën optimale për të lindur. Studjuesit thonë se ky brez është më i prirur ta shtyjë kohën e lindjes së fëmijës, ose për të patur më pak fëmijë.

Një tjetër shkak mund të jetë ndryshimet tek popullsia e imigrantëve, që çdo vit kontribuojnë me rreth një të katërtën e lindjeve në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, aziatikët përbëjnë numrin më të madh të imigrantëve dhe ata zakonisht lindin më pak fëmijë se sa grupet e tjera të imigrantëve.

Po ashtu, një tjetër faktor është shtimi i përdorimit të IUD-ve dhe formave të tjera të masave mbrojtëse kontraceptive që veprojnë me afat të gjatë.

Zbulime të tjera

Raporti i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po ashtu zbuloi se:

  • Ritmi i lindjeve tek gratë e moshës nga 15 deri në 44 vjeç, që njihet zakonisht si mosha e pjellorisë, ra në nivelin rekord 60 për çdo 1000 gra.
  • Gratë e moshës 40-vjeçare ishin grupi me rtimin më të madh të lindjeve në vitin 2017, duke shënuar një rritje me 2 për qind për këtë grupmoshë. Ritmi i lindjeve për këtë moshë ka ardhur duke u rritur nga fillimi i viteve 1980.
  • Numri i lindjeve me operacion cezarian u rrit paksa gjatë vitit të kaluar, pasi në vitet e fundit kishte shënuar rënie. Sipas studimeve, lindjet me operacion janë më të përhapura tek lindjet e para të nënave me moshë më të madhe.
  • Numri i foshnjeve të lindura para kohe dhe nën peshë u rrit për të tretin vit radhazi, ndoshta për të njëjtat arsye.
  • Lindjet nga vajzat adoleshente po ashtu ranë. Në vitin 2017 ato ranë me 7 për qind krahasuar me një vit më parë.
  • Ritmi i lindjeve tek gratë në të 20-ata ka rënë përsëri, duke shënuar rekordin 4 për qind më pak se një vit më parë.
  • Ndoshta ajo që është më për t'u habitur, ritmi i lindjeve tek gratë në të 30-at ra paksa: 2 për qind në mesin e grupmoshës 30-34 vjeç dhe 1 për qind për gratë 35-39 vjeçare.
  • Ritmi i lindjeve për gratë e moshës 30-vjeçare është rritur vazhdimisht, duke arritur në nivelet më të larta, për të paktën gjysëm shekulli dhe gratë në fillimet e moshës 30 vjeçare, kohët e fundit u bënë grupmosha që lind më tepër fëmijë. Në këtë grupmoshë, po ashtu rënia e numrit të lindjeve ishte më e vogël.
  • "Është vështirë të thuhet në se kemi të bëjmë me një ndryshim themelor, apo me një prirje e përkohëshme", - thotë Hans-Peter Kohler, demograf në Universitetin e Pensilvanisë, që merret me studimin e prirjes së lindjeve.

Një brez që nuk mund të zëvendësohet

Një tjetër zbulim i rëndësishëm i studimit: brezi i tanishëm nuk do të mund ta riprodhojë veten me ritmin e tanishëm të lindjeve.

Dikur Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e pak vendeve të zhvilluara me një ritëm fertiliteti, që kishte një numër të mjaftueshëm lindjesh për të siguruar zëvendësimin e brezave.

Ritmi aktual i lindjeve në Shtetet e Bashkuara tani është më i vogël se kufiri standart për zëvendësimin e brezave. Megjithatë, ky ritëm është më i lartë se sa në vende si Spanja, Greqia, Japonia dhe Italia, por diferenca duket se po pakësohet.

Një dekadë më parë, ritimi i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ishte 2,1 fëmijë për një grua. Në vitin 2017, kjo shifër ra në 1,8 fëmijë për një grua, shifra më e ulët që nga viti 1978.

“Kjo është një rënie e konsiderueshme", - tha Dr. John Santelli, profesor për popullsisë, shëndetin familjar dhe pediatrinë në Universitetin Kolumbia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG