Lidhje

Kleriku mysliman Al-Masri del të martën para gjykatës


Imami me origjinë egjiptiane ndeshet me disa akuza, mes të tjerash për ngritjen e një kampi stërvitjesh për terroristët në shtetin e Oregonit.

Pesë persona të dyshuar si terroristë u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara nga Britania, mes tyre kleriku mysliman Abu Hamza al-Masri. Ata u nisën nga Britania e Madhe për në Shtetet e Bashkuara, nga një bazë e Forcës Ajrore Mbretërore dje vonë, pasi Gjykata e Lartë e Britanisë hodhi poshtë apelimet e minutës së fundit nga Hamza dhe të tjerët.

Myslimani radikal al-Masri ishte në plan të dilte sot para një gjykatësi federal në New York. Por zyrtarët thanë se ai do të paraqitet në gjykatë të martën. Imami me origjinë egjiptiane ndeshet me disa akuza, mes të tjerash për ngritjen e një kampi stërvitjesh për terroristët në shtetin e Oregonit. Ai akuzohet gjithashtu se ka ndihmuar në rrëmbimin e 16 pengjeve, duke përfshirë edhe dy amerikanë, në Jemen në vitin 1998. Katër njerëz humbën jetën gjatë atij incidenti.

Dy të dyshuar të tjerë, Adel Abdul Bary dhe Khaled al-Fawwaz, kërkohen për mundësinë e rolit të tyre në sulmet me bombë ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998. Ata akuzohen për komplot me Al Kaidën për sulmet që shkaktuan 224 të vrarë. Edhe pritej të dilnin sot para së njëjtës gjykatë në New York.

Dy të dyshuarit e fundit, Babar Ahmad dhe Syed Talha Ahsan, thanë se janë të pafajshëm sot, para një gjykate federale në shtetin Connecticut, pas akuzave se kanë mbështetur terroristët përmes faqeve në internet që ata kishin. Ata po mbahen në burg, në pritje të procesit gjyqësor.

Kritikët e ekstradimit thanë se ekspertët e kompjuterave duhet të mbeteshin në Britani, meqë ata janë shtetas britanikë dhe operonin faqe komjuterike nga Britania. Që të pestë të dyshuarit kishin ngritur pretendime për të drejtat e njeriut dhe kushtet në burgjet e Shteteve të Bashkuara. Duke hedhur poshtë apelimin e tyre, gjykata britanike u shpreh se ka patur një interesim të madh nga publiu për ekstradimin e tyre.
XS
SM
MD
LG