Lidhje

Prokurorët kërkojnë 30 vjet heqje lirie për ish policin Derek Chauvin


Prokurorët e Minesotës po kërkojnë një dënim me 30 vjet heqje lirie për ish-oficerin e policisë. Derek Chauvin, i cili u shpall fajtor në muajin prill për vrasjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, në maj të vitit 2019.

Mbrojtja e zotit Chauvin, kërkoi një dënim me kusht dhe përllogaritjen e kohës së kaluar në burg.

Ish-polici i bardhë, Derek Chauvin, që mbajti gjurin në qafën e Floydit për 9 minuta e gjysmë, u shpall fajtor për vrasje nga një juri nga Minneapolis.

Gjykatësi, Peter Cahill, vendosi se kishte "rrethana rënduese" për vrasjen e Floydit, duke i dhënë atij diskrecion për të dënuar Chauvin me një afat më të gjatë se sa që është përcaktuar me udhëzimet e rregullta të shtetit. Në Minesota, 12 vjet e gjysmë është dënimi mesatar për një rast të ngjashëm si ai i ish oficerit Chauvin.

Por, prokurorët thanë se 30 vjet do të "pasqyronin siç duhet ndikimin e thellë të veprimit të të pandehurit mbi viktimën, familjen e viktimës dhe komunitetin".

Akuza më e rëndë kundër Chauvinit, vrasje e shkallës së dytë, bart me vete mundësinë e një dënimi maksimal prej 40 vjetësh.

Dënimi i tij pritet të shpallet më 25 qershor. Derek Chauvin është në burg që nga 20 prilli dhe përballet me akuza të ndara federale për të drejtat civile në lidhje me vdekjen e zotit Floyd.

Vrasja e Floydit nxiti protesta në shkallë botërore kundër racizmit të institucionalizuar dhe praktikave policore, posaçërisht në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG