Lidhje

SHBA shpreson në zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregëtare me Kinën


Sekretari amerikan i tregtisë Wilbur Ross tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë tepër larg zgjidhjes së çështjeve tregtare, por ekziston mundësia që dy vendet të arrijnë një marrëveshje.

Zoti Ross tha se një delegacion kinez prej 30 anëtarësh pritet të vijë në Uashington javën e ardhshme për një raund të ri bisedimesh, ndërkohë që dy ekonomitë më të mëdha të botë përpiqen t’i përmbahen afatit të 1 marsit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare mes tyre.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se më 2 mars do të rrisë deri në 25 për qind tarifat për mallra kineze importi me vlerë 200 miliardë dollarë, nga 10 përqind që është tani, nëse Kina nuk ndërmerr hapa për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane.

Presidenti Trump kërkon gjithashtu që Kina t’u japë fund politikave që detyrojnë kompanitë amerikane të transferojnë teknologji tek firmat partnere kineze.

SHBA duan që Kina të lejojë qasje më të madhe në treg për bizneset amerikane dhe të ulë barrierat e tjera jo-tarifore për prodhimet amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG