Lidhje

Mearsheimer: SHBA-ja dhe aleatët e saj krijuan një Kinë të pasur – gabim kolosal


Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, John Mearsheimer, parashikon një ngritje të vazhdueshme të Kinës që mund të çojë në konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa kritikon Washingtonin dhe aleatët e tij në Azi, që ndihmuan në ngritjen e saj pas Luftës së Ftohtë.

Në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit te Amerikës, zoti Mearsheimer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, tha se kinezët po zhvillojnë aftësitë ushtarake për të dominuar në gjithë Azinë.

Ata janë përqendruar kryesisht në Azinë Lindore dhe në thelb duan ta kthejnë Detin e Kinës Jugore në një liqen gjigant kinez. Ata duan të riintegrojnë Tajvanin përsëri në Kinën Kontinentale dhe janë të interesuar të kthejnë, ato që ata i quajnë ishuj të thatë, ndërsa japonezët i quajnë Ishujt Senkaku në Detin e Kinës Lindore”, tha ai duke tërhequr vërejtjen se Kina tani është shumë më e fuqishme sesa ishte dhjetë, njëzet apo tridhjet vjet më parë10, 20, 30 vjet më parë dhe në një pozicion ku mund të mendojë për të ndryshuar status quo –në në rajon.

Nga ana tjetër, thotë ai, si Japonia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të caktuar për ta mbajtur Tajvanin si një shtet sovran dhe “kjo garë në Azinë Lindore do të nxehet me kalimin e kohës”.

Zoti Mearsheimer thekson se rivaliteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës zhvillohet në rrethana të ndryshme nga ato të periudhës së Luftës së Ftohtë.

Gjatë Luftës së Ftohtë ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, skenari kryesor i konfliktit (të mundshëm) ishte një luftë në Evropën Qendrore. Dhe kjo do të kishte përfshirë dy ushtri masive që ishin të armatosura deri në dhëmbë me 1000 armë bërthamore. Pothuajse të gjithë ata që studiuan një skenar të tillë, menduan se ishte i pamundur meqë të dyja palët do të digjeshin”.

Ndërsa situata me Kinën, thotë ai, është ndryshe dhe ajo çfarë “mund të ndodhë, nuk po them se ka të ngjarë, por mund të ndodhë në Azinë Lindore është një luftë e kufizuar mbi Detin e Kinës Jugore, ose një luftë e kufizuar mbi Tajvanin, ku kërcënimi i përshkallëzimit bërthamor nuk është i madh”.

Ai thekson se ekuilibri i fuqisë gjatë 30 viteve të fundit ka ndryshuar dukshëm dhe ndonëse Shtetet e Bashkuara janë ende shteti më i fuqishëm në planet, Kina e ka ngushtuar dallimin.

Zoti Mearsheimer tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, përfshirë Japoninë, Tajvanin dhe shumë vende të tjera në Azinë Lindore, që tani ndjehen të kërcënuara nga Kina, luajtën një rol thelbësor në krijimin e këtij “Goliati”.

Amerikanët në fillim të viteve 1990, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ndoqën një politikë angazhimi. Dhe kjo politikë u krijua për ta bërë Kinën të begatë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj bënë çmos për të krijuar një Kinë të pasur. Dhe supozimi ishte se Kina do të shndërrohej në një demokraci paqedashëse dhe një aktore përgjegjëse në një rend ndërkombëtar të udhëhequr nga Amerika”, tha ai duke nënvizuar se “tani është mjaft e qartë se Kina është një fuqi revizioniste dhe është e interesuar të bëjë të gjitha llojet e gjërave në Azinë Lindore, që i bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Azinë Lindore shumë të pakënaqur. Pra, politika e tillë ishte një gabim strategjik kolosal, sipas mendimit tim”.

Zoti Mearsheimer thekson se “frenimi i Kinës” duhet dhe do të jetë qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara dhe në këtë rrafsh, përfundimi i luftës në Afganistan është një gjë e mirë.

Sepse, para së gjithash, do të çlirojë burime për Shtetet e Bashkuara në Azinë Lindore. Ato burime që tani po i kushtohen Afganistanit mund të jenë në përgjithësi, të përcaktuara për t'u përballur me kërcënimin e Kinës”.

Ai hedh poshtë pohimet se Kina do të përfitojë në ndonjë mënyrë të rëndësishme strategjike në Afganistan, pas largimit të amerikanëve prej andej.

Në fakt, kinezët ishin të pakënaqur kur panë Shtetet e Bashkuara të largoheshin nga Afganistani, sepse frika e tyre e madhe është se talebanët do të tolerojnë grupet terroriste në Afganistan që më pas mund të lëvizin në Kinë dhe të ndihmojnë në shkaktimin e problemeve në pjesën më perëndimore të Kinës”, theksoi zoti Mearschheimer.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG