Lidhje

Miratohet amendamenti që i lejon J. Mattis të bëhet Sekretar i Mbrojtjes


Senati amerikan miratoi një amendament që i lejon gjeneralit James Mattis të bëhet Sekretar i Mbrojtjes, pas konfirmimit të tij. Sipas ligjit, ushtarakëve u ndalohet të bëhen Sekretarë të Mbrojtes, në se kanë më pak se 7 vjet që kanë dalë në pension.

Gjenerali në pension James Mattis, tha në seancën e konfirmimit, se baraspesha globale e fuqisë e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore po kërcënohet më shumë se kurrë.

“Mendoj se kjo balancë është nën sulmin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kjo vjen nga Rusia, nga grupet terroriste dhe nga veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore", tha gjenerali në përgjigje të pyetjeve gjatë seancës për konfirmimin e tij para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura.

Ai tha se "parandalimi është me rëndësi kritike për momentin", por shtoi se forcat e armatosura amerikane aktualisht nuk janë të forta sa duhet për të përballuar sfidat.

Një nga pyetjet që i drejtuan ligjvënësit ishte se si do të sillej ai me Rusinë, bazuar tek veprimet e saj, si ndërhyrjet në Europën Lindore dhe sulmet kibernetike për të cilat akuzohet Moska.

Ai u përgjigj se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur shumë herë t'i përmirësojnë marrëdhëniet me Rusinë dhe pak herë kanë patur sukses. Gjenerali Mattis tha se është e rëndësishme të njihet realiteti dhe mënyra e sjelljes me zotin Putin.

"Ne e dimë - tha ai, - se presidenti rus po përpiqet ta dëmtojë NATO-n, prandaj duhet të marrim masa të integruara: diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe të punojmë me aleatët tanë për t'u vetëmbrotjur në ato raste kur është e nevojshme."

Në se konfirmohet, Mattis do të bëhej i pari ushtarak i karrierës në 50 vjet, që drejton Pentagonin.

Ai doli në pension në vitin 2013 nga Trupat e Marinës së Shteteve të Bashkuara, pasi pati shërbyer si kreu i Komandës Qendrore Amerikane dhe pasi pati udhëhequr forcat amerikane në Afganistan dhe në dy luftrat në Irak.

Gjatë seancës për konfirmimin e tij, gjenerali Mattis shpreu shqetësim për kërcënimet e sigurisë së paraqet Irani dhe ai tha se nuk mbështet teknikat e ashpëra të marrjes në pyetje.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG