Lidhje

SHBA: Kongresi i paralizuar në një vit zgjedhjesh


Republikanët, të cilët përbëjnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, kanë miratuar gjatë muajve të fundit më shumë se 20 projekt-ligje, të bazuara në ideologjinë e tyre. Por këto projekt-ligje mbi çështje si anulimi i disa pjesëve të ligjit mbi kujdesin shëndetsor nuk kanë asnjë mundësi të miratohen në dhomën tjetër të Kongresit, në Senatin e mbizotëruar nga demokratët, e jo më të nënshkruhen në ligje nga presidenti.

Godina e Kongresit amerikan duket e qetë nga jashtë, por kohët e fundit brënda saj ka pasur më shumë debate se se bashkëpunim mes republikanëve dhe demokratëve.

"Pse njerëzit insistojnë se ne duhet të zhvillojmë një luftë politike mbi diçka që nuk ka aspak nevojë të luftohet. Njerëzit duan të politizojnë çdo gjë sepse jemi në një vit zgjedhjesh, por nuk ka nevojë të jetë kështu".

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner iu referua një projekt-ligji, që do të pengonte për miliona studentë dyfishimin e interesit për huatë e studimit të subvensionuara nga qeveria federale.

Dhe kjo ndodhi ndërsa Presidenti Barak Obama po vizitonte disa universitete, duke i bërë thirrje Kongresit që të vepronte mbi projekt-ligjin e huave të studentëve dhe projekt-ligje të tjera, që në të kaluarën miratoheshin me lehtësi me mbështetjen e të dyja partive në Kongres.

Por në këtë vit zgjedhjesh, projekt-ligjet u miratuan në minutën e fundit para se të skadonin.

Demokratët fajësojnë republikanët se përpiqen të financojnë projekt-ligje popullore duke shkurtuar programet e ndihmave për të varfërit.


"Shumica republikane angazhohet në një sulm tjetër partiak kundër fondeve të kujdesit shëndetsor, fonde që përmirësojnë jetën e amerikanëve dhe produktivitetin e forcës tonë punëtore. Unë e kundërshtoj me forcë këtë projekt-ligj".
Analisti politik Norman Ornstein thotë se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar një numër projekt-ligjesh ideologjike për të kënaqur përkrahësit e grupimit Tea Party, të cilët përbëjnë bazën e tyre financiarisht konservatore.

"Nuk ka asnjë dyshim se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, duke përdorur shumicën e tyre, kanë qenë në gjendje të miratojnë një numër projekt-ligjesh, që nuk kanë asnjë shans për t’u miratuar në Senat".

Problemi, thotë ai, është se tani Dhoma e Përfaqësuesve nuk po bën asgjë tjetër.

"Nuk është aspak e paligjshme që politikanët të mbajnë një qëndrim të caktuar dhe ta bëjnë atë publik. Por një qëndrim i tillë i kalon kufijtë dhe dëmton reputacionin e Kongresit kur ligjvënësit nuk bëjnë të paktën një farë përpjekje për të zgjidhur probleme në fusha të tjera".

Anëtari i Kongresit Barney Frank, demokrat liberal, i cili po del në pension, thotë se mosfunksionimi në Kongres është diçka e re dhe për këtë ai fajëson anëtarët e grupimit Tea Party.

"Edhe më mosfunksionale ishte fitorja në zgjedhjet e vitit 2010, brënda republikanëve të Tea Party, një grup njerëzish shumë të zemëruar që nuk besojnë në bashkëpunim".

Shumica e konservatorëve argumentojnë se qeveria federale është tashmë shumë e madhe dhe nuk duhet të ndërhyjë në kujdesin shëndetsor dhe në çështje të tjera personale. Mbetet në dorë të votuesve në zgjedhjet e nëntorit për të përcaktuar se cili duhet të jetë roli i qeverisë federale në jetën e amerikanëve.



XS
SM
MD
LG